Friday, July 20, 2012

Mema: Vrasjet, rreth 250 mijë armë ndodhen në duart e shqiptarëve

Pas çdo ekzekutimi fshihet një armë. Dhe armët në këtë vend ku ndodhin vrasje në familje, vrasje për pronën, për gjakmarrje apo edhe eliminime e larje hesapesh janë një mall i lirë për t'u gjetur.

Ish-kreu i Policisë së Shtetit, Bilbil Mema, zbardh një fakt tronditës sa i përket armëve që u shpërndanë më '97. 

 "Në duart e shqiptarëve gjenden ende rreth 250 mijë armë, të cilat nuk u mblodhën dot pas trazirave",-thotë ai, ndërsa bën edhe një analizë të vrasjeve në rritje apo të performancës së policisë, për t'i mbajtur konfliktet nën kontroll.

Në  një intervistë për gazetën  "Mapo" ai jep edhe sugjerimet e tij se si mund të dilet nga kjo situatë.

Sipas tij , është një moment i rritjes dhe i shtimit të krimeve, të cilat kanë si bazë përdorimin e armëve të zjarrit. 

"Po ashtu, mund të them se ka një ulje të ritmit të punës së policisë, e cila mori masa për riorganizimin e saj disa kohë më parë, por ky ristrukturim u ndërpre. Policia nuk e çoi deri në fund ristrukturimin e asaj që në zhargon njihet si Policia Kriminale. Po ashtu, në lidhje me situatën e kriminalitetit dhe për ngjarje të ndryshme të rënda, mendoj se duhet në tërësi një analizë për ngjarjet e ndodhura për një periudhë prej një muaji e gjysmë. Kjo analizë mendoj se duhet bërë në mënyrë të veçantë për vrasjet, ato që kanë bërë jetën më të pasigurt në shumë qytete të vendit. Për mendimin tim, pas një analize që duhet bërë për çdo rast kriminal apo krimi të rëndë, duhet reflektuar menjëherë", është shprehur Bilbil Mema. (INA)



No comments:

Post a Comment