Wednesday, July 18, 2012

Imami: Ne shesim, nuk trafikojmë armë

Pas debateve me dyer të mbyllura në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, ministri i Mbrojtjes Arben Imami deklaroi për mediat se është shfryrë tullumbacja e parë me akuzat e opozitës për trafik armësh.

Imami tha se Ministria e Mbrojtjes shet armë dhe nuk trafikon, dhe se për këto shitje raporton çdo tre muaj tek Kryetarja e Kuvendit, kryeministri dhe Presidenti i Republikës.

Ministri i Mbrojtjes theksoi se kontrolli parlamentar është shumë i rëndësishëm, por shkelja e ligjit për të kryer një kontroll është precedent, që ai nuk do ta lejojë.

Sipas ministrit Imami për çdo kontroll, Komisioni duhet të dorëzojë kërkesë pasi vetëm kështu kryhet kontroll serioz dhe demokratik.

"U shfry tullumbacja e parë. Nuk mund të ketë trafik armësh. Unë raportoj çdo tre muaj tek Kryetarja e Kuvendit, Kryeministri dhe Presidenti i Republikës. Çështja e kontrollit nuk është çështje e ministrisë, por e Parlamentit. Mbasi të kem një copë letër në dorë ku të kem të përcaktuar llojin e kontrollit me një plan konkret unë do t'i përcjell të gjitha përgjigjet. Duhet të ketë një plan konkret kontrolli, edhe kryeministri kur vjen për kontroll e ka këtë plan. Kontrolli parlamentar është shumë i rëndësishëm, por shkelja e ligjit është një precedent, që unë nuk do ta lejoj", deklaroi Imami.

Ministri i Mbrojtjes tha se dikasteri që drejton e ka për detyrë që të shesë armë që janë të vjetra, një tregti që është në interesin më të mirë të vendit, dhe nuk është trafik.

I pyetur për përgjimin e përfaqësuesve të opozitës dhe diplomatëve të huaj në Tiranë, ministri i Mbrojtjes tha se nuk ekzistojnë të tilla gjëra.

"Provokimi që janë përgjuar edhe diplomatë nuk shkon, pasi nuk jemi në kohën e traktatit të Varshavës. Këto provokime nuk mund të shkojnë, do të shpohet edhe kjo tullumbace", tha Imami, duke nënvizuar se duhet të ngrihet një komision parlamentar për të hetuar mbi akuzat për përgjime.

"Do të duhet të ngrihet një komision për të ruajtur sekretin, në mënyrë që askush të mos i tregojë as gruas së vet. Unë jam i interesuar në këtë moment që të ngrihet ky lloj komisioni. Pasi ne punojmë kundër terrorizmit, së bashku me ushtri të tjera të NATO-s. Ne nuk kemi kapacitete të përgjojmë zyrtarët e diplomatët", tha Imami.

Ai nënvizoi se "ky komision le të dijë më shumë se ministri, po ama të jetë i krijuar sipas ligjit".

I thirrur për të raportuar në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare edhe për "Planin e përhapjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe ndryshimet strukturore që i janë bërë këtij plani", ministri i Mbrojtjes tha se plani është jashtëzakonisht i mirë.

Në përfundim të seancës dëgjimore me ministrin Imami, u prononcua për mediat edhe deputeti socialist Ilir Gjoni, i cili deklaroi se "Vërehet një tendencë për ta shmangur kontrollin parlamentar, ndonëse u vendos që kryetari i komisionit Leonard Demi, t'i drejtohet ministrit me një shkresë", njoftoi Noa.

Deputeti Gjoni tha se ishte e rëndësishme që opozita ngriti zërin për një kontroll parlamentar në dikasterin e Mbrojtjes, dhe të imponojë vendimin e marrë në komision që më 18 maj.

Sipas tij Komisioni i Sigurisë ka rënë parimisht dakord që kërkesa për kontroll në këtë dikaster të kalojë ditën e hënë.

Pak ditë më parë ministri i Mbrojtjes Arben Imami deklaroi se është i gatshëm t'i përgjigjet akuzave të opozitës, duke nënvizuar se nuk do të lejojë asnjë kontroll punëtor fshatar në dikasterin që drejton. (INA)



No comments:

Post a Comment