Monday, July 16, 2012

Familja Bërbatovci akuzon Ramë Bujën për zhdukjen e familjarit të tyre

Peme Bërbatovci, bashkëshorte e gazetarit Ismail Bërbatovci ka dëshmuar para hetuesve të Tribunalit për zhdukjen e gazetarit Ismail Bërbatovci më 23 korrik të vitit 1998 në Blinajë në bazën e UÇK-së të Zonës së Nerodimes.

Në një dëshmi me shkrim të dhënë para një hetuesi të Tribunalit të Hagës, Peme Bërbatovci akuzon drejtpërdrejtë Ramu Bujën për zhdukjen e bashkëshortit të saj. Në dëshminë e saj të cilën e  boton sot gazeta "Bota sot", në rreth 5 faqe Peme Bërbatovci thotë para hetuesit të Tribunalit se "unë jam këtu që të ju tregoj për përvojën time rreth zhdukjes së bashkëshortit tim Isalit, i lindur më 15 prill të vitit 1959 në Dobrajë të komunës së Lipjanit. "Unë besoj se ai u rrëmbya nga UÇK-ja më 23 korrik të vitit 1998 kur ai shkoi të takonte Ramë Bujën, komandantin e UÇK-së në Blinajë, me qëllim që të zhvillonte një intervistë me atë për gazetë. Kur ai u largua nga shtëpia në Lipjan atë ditë, kjo ka qenë hera e fundit që e kam parë dhe prej atëherë ai është i zhdukur. Burri im ka punuar si gazetar në gazetën "Fjala jonë. Më 15 korrik të vitit 1998 ai mori një letër nga kryeredaktori i cili e autorizonte atë që të bënte shkrime nga rajoni që ishte nën kontroll të UÇK-së dhe të shkruante shkrime për luftën në atë rajon" vazhdon dëshminë e saj Peme Bërbatovci, bashkëshortja e gazetarit të zhdukur Ismail Bërbatovci.

Familja e Ismail Bërbatovcit e ka kërkuar familjarin e vet edhe gjatë luftës edhe pas përfundimit të saj. Peme Bërbatovci ka trokitur derë më derë gjatë kohës së luftës duke e kërkuar bashkëshortin e saj, ndërsa vëllau Nazim Bërbatovci është takuar edhe personalitete të larta të luftës e pas saj por asnjëherë nuk ka marrë ndonjë përgjigje për fatin e vëllait të vet Ismailit.

Ndërkaq Rilindja, 18 vjeçe e Rilindi 16 vjeç tash e 14 vjet po rriten jetim pa babanë e tyre. Rilindja ka qenë 4 vjeçare e Rilindi vetëm 2 vjeç kur "babai shkoi në mal te UÇK-ja e nuk u kthye më kurrë në shtëpi". 

Ata edhe sot e kësaj dite duan të dinë për fatin e  babait të tij. E fundit që duan të dinë është se ku janë eshtrat e babait të tyre. 

E të vërtetën për fatin tragjik të babait të tyre e dinë disa "njerëz të mëdhenj" të pushtetit të cilët duhet të përgjigjen para drejtësisë, drejtësisë që po vonon, shkruan në numrin e sotëm gazeta "Bota sot" . (INA)



No comments:

Post a Comment