Thursday, July 26, 2012

AP: Shqetësime për rikthimin e Serbisë tek politikat nacionaliste të viteve të 90-ta

Qeveria e re e Serbisë që do të inaugurohet sot ka shfaqur shqetësimet për kthimin e këtij vendi tek politikat nacionaliste të viteve të 90-ta. 

Kjo shkruhet sot nga agjencia e lajmeve Associated Press, e cila nënvizon se “Ivica Daçiq, zëdhënës i luftës së ish-presidentit së Jugosllavisë së mbetur dhe më pas Serbisë, Sllobodan Millosheviq sot zyrtarisht do të bëhet kryeministër serb, ashtu që tek një pjesë e opinionit serb ka nxitur pakënaqësi dhe frikë se mund të rikthehet politika nacionaliste e viteve të 1990-ta. 

Agjencia e mirënjohur botërore shton se Daçiq ,që në të kaluarën kishte nofkën “Slloba i vogël” për shkak të adhurimit të tmerrshëm të ish-presidentit të tij, ka premtuar se nuk do të ringjallë politikën nacionaliste të erës së Millosheviçit, por në vend të kësaj fuqishëm do të punojë në integrimin e Serbisë në BE. 

AP më tej thekson se, edhe përkundër premtimeve të Daçiqit, në opinionin serb ekzistojnë mëdyshje se zgjedhja e tij për kryeministër do të rrënojë procesin e pajtimit në Ballkan dhe vendin do ta orientojë drejt Rusisë. 

Daçiq dhe partnerët e tij të koalicionit kanë lidhje të fuqishme me Moskën dhe se në të kaluarën ata paralajmëruan se do të shmangin rrugën e Serbisë drejt BE, në rast se do të kërkohet të hiqet dorë nga Kosova, e cila ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.  

Agjencia vlerëson se zgjedhja e Qeverisë së re do të nënkuptojë kthimin e fuqishëm në pushtet të aleatëve të ish-presidentit të ndjerë Millosheviq.  Më tej shtohet se përveç Daçiqit në Qeverinë e re do të jenë edhe figura të rëndësishme nga era e Millosheviqit, mes tyre Aleksandar Vuçiniq, me postin për dikasterin e mbrojtjes, sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vuçiq në kohën e Millosheviqit ishte ministër i Informatave, i cili ishte i njohur me qëndrimet e tij ekstreme gjatë luftës së Kosovës 1998 – 99. 

Nga ana tjetër, politikanët nga era post-millosheviçiane kanë pasur sukses që sërish të krijojnë lidhje me botën dhe të nxisin pajtimin në rajon, ata politikanë që patën sukses në arrestimin e kriminelëve të luftës dhe arritën që ti sjellin Serbisë statusin e kandidatit dhe duke siguruar mbështetjen e SHBA-ve dhe vendeve evroperëndimore.  

Agjencia nënvizon se Qeveria e re do të përballet me shumë sfida si shkallën e lartë të papunësisë, deficitin buxhetor dhe krizën e thellë ekonomike. (INA)



No comments:

Post a Comment