Saturday, July 21, 2012

Strugë, huliganët maqedonas demolojnë varrezat dhe sulmojnë Adil Gazaferin

Varrezat myslimane në Strugë sërish kanë qenë cak i sulmeve dhe demolimeve nga ana e huliganëve maqedonas. Në shënjestër të dëmtimit janë ndriçueset përreth murit rrethues të varrezave. 

Kështu ka ndodhur edhe ditën e pardjeshme, kur një grup vandalësh të nacionalitetit maqedonas, duke kaluar skaj varrezave, kanë filluar të thyejnë kandelabrat e rrethojave. Ky akt i huliganëve është vërenjtur nga Adil Gazaferi, ish-gjeneral në pension dhe kryetar i këshillit organizativ për rregullimin dhe mirëmbajtjen e varrezave. 

Gazaferi i shoqëruar nga djali i tij ka dalur pranë varrezave dhe kanë kërkuar që huliganët maqedonas të ndalojnë aktet e tilla. 

"Kush është ai që ndjek e përndjek maqedonasit?", ka qenë përgjigja e huliganëve, të cilët kanë sulmuar ish-gjeneralin Gazaferi dhe birin e tij me mjete të forta dhe grushte. Policia pas një kohe të shkurtër ka arritur të vendin e ngjarjes, me ç`rast ka arrestuar menjëherë grupin e huliganëve. 

"Kjo po ndodhë në ditën kur fillon muaji i bekuar dhe i shenjtë i Ramazanit, që ngacmon thellë ndjenjat fetare të muslimanëve. Kemi tentuar që pas faljes së namazit në xhami ta bllokojmë rrugën që shkon për në Ohër e cila kalon përskaj varrezave. Por nëse vandalët nuk ndëshkohen, këtë do ta bëjmë të premten tjetër"-është shprehur gjenerali në pension Adil Gazaferi.

Kjo nuk është hera e parë që dëmtohen rëndë kandelabrat në varrezat e Strugës dhe deri më tani janë thyer mbi 140 kandelabra, ndërsa askush nuk është përgjegjur para organeve të drejtësisë.

Nga SPB në Ohër, kanë bërë të ditur se "nuk ka pasë kurrfar dëmtimi të kandelabrave dhe se nuk ka pasë incident fizik, por vetëm fjalosje, dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike". 

"Është kjo kush e din se cila herë  që përdhosen varrezat muslimane në Strugë. Fillimisht na janë vjedhur 100 pisha që i kemi mbjellur skaj rrethojave. Ndërsa disa herë  na thyhen kandelabrat që ndriçojnë natën dhe i japin një bukuri të veçantë qytetit dhe ambijentit në përgjithësi. Akte të tilla të shëmtuara na detyrojnë që të vendojmë roje ose të ngjashme që ti kapim vandalët në vepër, sepse kjo dukuri po merr  përmasa shqetësuese. Poashtu shqyrtojmë edhe mundësinë për vendosjen e kamerave investiguese, sepse mjetet për rregullimin e varrezave i kanë ndarë vetë qytetarët dhe kurbetqarët në botën e jashtme", ka përfunduar prononcimin e tij  gjenerali në pension Adil Gazaferi. (M.Latifi/INA)

 

 

 



No comments:

Post a Comment