Saturday, July 14, 2012

Komuna e Gostivarit përgënjeshtron ministrin Bejta

Komuna e Gostivarit sot nëpërmjet një konference me gazetarët ka reaguar ndaj deklarimeve të djeshme të ministrit të Pushtetit Lokal, Nevzat Bejta lidhur me një kredi për komunën me një vlerë prej një milion euro.

Faton Jahja, përgjegjësi i zyrës së projekteve pranë kësaj komune ka theksuar se ministri Bejta ka manipuluar me qytetarët e Gostivarit, duke përvetësuar një ndihmë nga Banka Botërore, dhe këtë duke i`a adresuar Qeverisë dhe ministrit që udhëheq.

"Bejta, nuk dihet se në çfarë cilësi dje foli në Ministrinë e Pushtetit Lokal duke thënë se ka ndihmuar dhe i ka dhënë komunës së Gostivarit një milion euro kredi, duke mos përmendur aspak mekanizmat se si të njëjtën ndihmë dhe kreditim e ka bërë. Nuk u përmendën mekanizmat pasi që nuk ka logjikë e njëjta. Ministria nuk u jep kredi komunave, nuk është institucion financiar e as që ministri analizon projektet për kreditim të komunave, pasi që i njëjti nuk është ekspert kreditor", theksoi Jahja, duke shtuar se komuna ka aplikuar në Bankën Botërore për tërheqjen e kësaj kredie përmes projektit të saj të qëndrueshëm.

Sipas Faton Jahjës, për të fituar këtë kredi nga Banka botërore, komunën e Gostivarit e kanë ndihmuar menaxhimi me nder i fondeve publike, disiplina fiskale në grumbullimin e tatimeve, indikatorët pozitivë financiar, politikat që u instaluan nga kryetari aktual, Prof. Dr. Rufi Osmani  dhe që u vërtetuan dhe nga Agjencia ndërkombëtare për matjen e rejtingut kreditor  MOODY's, duke vlerësuar nivelin e larte të kreditueshmërisë së Komunës së Gostivarit.

"Duke mos pasur informacion të saktë për kreditin në fjalë, ministri, në pres konferencë ka dezinformuar opinionin publik duke bërë se paku  tre gabime të rënda: Së pari: nga kredia e miratuar do të investohen 500 mijë euro për pajimet në ndërmarrjen publike komunale, e jo 400 mije euro siç dezinformon ministri në fjalë nga mosdija – gabimi është 100 mijë euro.  Së dyti: nga kredia në fjalë do të investohen 347.282 euro për ndërtimin e rrjetit të ri të ndriçimit publik dhe të zëvendësimit të llambave ekzistuese me llamba led, e jo 500 mijë euro siç pretendon ministri i keqinformuar – gabimi është 150 mijë euro. Dhe së treti: dallimi i mbetur nga dy pozicionet paraprake nga një milion euro, gjegjësisht  shuma prej 141,717.73 euro  është planifikuar të realizohet për zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Debresh dhe jo shuma prej  100 mijë euro për ndërtimin e basenit në fshatin në fjalë, siç thotë ministri. – gabimi 50 mijë euro dhe investimi i gabuar", deklaroi Jahja.

Sipas tij, në rastin e basenit të ujit në fshatin Debresh arrin kulminacioni i mosdijes së ministrit, sepse ishte pikërisht Komuna e Gostivarit ajo e cila nga buxheti i saj në vitin 2011, investoi 200 mijë euro dhe së bashku me kontributin e kurbetçinjve të Zvicrës në vlere prej 50 mijë euro, zgjidhi definitivisht problemin me ujin për pije në këtë vendbanim me afërsisht 10 mijë banor, fakt të cilin ministri ne fjale nuk e ka të ditur.

"Argumentet e mësipërme bindshëm argumentojnë të vërtetën e vetme se merita ekskluzive për kredinë afatgjate të miratuar për komunën e Gostivarit në vlerë prej 1 milion euro nga Banka Botërore, i takon menaxhmetit komunal të udhëhequr nga kryetari më reformator në nivel të Ballkanit Perëndimor, z. Rufi Osmani", theksoi shefi i projekteve, Faton Jahja. (INA)

press_014_1.jpg



No comments:

Post a Comment