Monday, July 30, 2012

Server: Integrimi i serbëvë të veriut jo me forcë, por me joshje

Analisti amerikan Daniel Server ka deklaruar se Institucionet e Kosovës jo me forcë por me joshje duhet të integrojnë serbët e veriut.

"Duhet të jetë strategji që i fiton zemrat dhe mendjet. Kjo nuk do të arrihet me forcë, por duhet të arrihet duke i joshur njerëzit në institucionet e Kosovës, siç ka bërë qeveria me sukses me serbët në jug të lumit Ibër. Qeveria filloi me një Zyrë Administrative në veri, që po i financon disa projekte dhe i ka punësuar disa njerëz. Shpresoj se kjo do të zgjerohet dhe vazhdojë. Qeverisë i duhet, po ashtu, edhe bashkëpunimi me Beogradin, i cili duhet të fillojë t'i tërheqë disa nga institucionet e ndërtuara në veri. Veçanërisht, institucionet e sigurisë duhet të ndalen në pjesën veriore dhe për këtë atyre u duhet ndihmë nga Beogradi", deklaroi për Radio Evropa e Lirë, Daniel Server, profesor në John Hopkins University në Uashington, i pyetur rreth strategjisë që duhet të aplikojnë autoritetet qeveritare të Kosovës lidhur me integrimin e pjesës veriore të Kosovës.

Sipas tij, Qeveria e re e Serbisë, qartazi, po përpiqet të sinjalizojë se dëshiron t'i implementojë marrëveshjet e arritura dhe dëshiron ta ulë prioritetin që i është dhënë Kosovës në favor të rritjes së prioritetit për ripërtëritje ekonomike në Serbi.

Ai ka komentuar edhe vizitën e presidentit të ri serb Tomislav Nikoliq në Moskë, që në  fillim të zgjedhjes së tij.
"Të shohim se si ata do të punojnë. Të mos shqetësohemi se kë e kanë vizituar së pari. Të shohim se çka po bëjnë. Nëse janë të interesuar në anëtarësim në BE, ata duhet të lëvizin shpejtë për t'i zgjidhur problemet e mbetura në Kosovë dhe të lëvizin përpara me vendosjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Prishtinën. Pra, të shohim se si ata sillen", deklaroi Server, i cili po qëndron për një vizitë në Kosovë. (INA)



No comments:

Post a Comment