Thursday, July 19, 2012

Mesazhet me rastin e Muajit të Ramazanit

Krerët e bashkësive fetare islame në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë kanë uruar besimtarët mysliman me rastin e Muajit të bekuar të Ramazanit.

Reis ul Ulemasë së BFI-së në Maqedoni, H. Sulejman ef. Rexhepi, me rastin e Muajit të bekuar të Ramazanit 2012 përmes një mesazhi ka uruar të gjithë besimtarët mysliman.

"Muaji i madhërishëm i Ramazanit paraqet kënaqësi të veçantë dhe mundësi që me plotë përkushtim dhe vullnet t'i përgjigjemi thirrjes së Allahut për agjërim, ibadet, respekt ndaj Kuranit, leximit të Kuranit, humanitet, afërsi vëllazërore, përkujdesje ndaj fëmijve dhe jetimëve. Ky është muaji i Kuranit, librit të shenjtë i cili është i shpallur nga Zoti për t'i shërbyer qenies së njeriut për të gjetë besimin e vërtet, për të kuptuar vlerat shoqërore, për ndërtuar standarde të jetës, të bashkëjetesës, koekzistencës, tolerancës dhe për të respektuar dallimet, ku në Kreun e II, El- Bekare neni 185, Allahu i Plotëfuqishëm thotë: " Muaji i Ramazanit është muaji kur filloi të shpallet Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i të vërtetës nga gënjeshtra", thuhet në mesazhin e kreut të BFI-së.

Sipas tij, ky është muaji kur të gjithë Ne i shijojmë në mënyrë të veçantë begatitë e Ramazani, ngase përmes tij hartohet rruga për të bërë miraxhin tonë dhe për të ngritur besimin në shkallë më të larta.

"Ky është muaj i solidaritetit dhe afrimit mes vete gjithsesi duhet shtri dorën e mëshirës dhe ndihmës skamnorëve dhe nevojtarëve, numri i kësaj kategorije të shoqërisë tonë për fat të keq po rritet, andaj sinqerisht kjo e dhënë po na shqetëson nga koha në kohë. T'ia shtrijmë dorën njëri- tjetrit dhe të mos nxisim urrejtje, ngase çështja jonë nuk duhet të jetë viktim e mosrespektit të ndërsjellt vëllazëror. Kemi parasysh nevojën për një jetë sa më të mirë për brezat e ri gjegjësisht për ardhmërinë tonë, megjithatë kjo tokë nuk duhet braktisur, por qëndruar dhe bashkëvepruar në te. Atdheu është i shenjtë, andaj e kemi parim që atë ta ndihmojmë me kapacitetin tonë që kemi intelektual dhe shkencorë. Ramazani, është muaji i dijes, shkencës ngase piknisja e shpalljes Hyjnore ishte pikërisht në këtë muaj", theksoi Rexhepi. 

Bashkësia Fetare Islame përcjell bekimet e Allahut Fuqiplotë kudo që gjenden besimtarët, në vendlindje dhe diasporë, duke ua uruar me plot sinqeritet muajin e madhërishëm të Ramazanit.

Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava, me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, përmes një mesazhi ka uruar besimtarët dhe qytetarët e Kosovës me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, duke e quajtur këtë muaj të shenjtë për besimtarët myslimanë muaj të fitores mbi të keqen. 

"Muaji i agjërimit ka për qëllim bindshmërinë ndaj Krijuesit, fisnikërimin e shoqërisë, ngase gjatë këtij muaji besimtari shton adhurimet, është më i kujdesshëm, behet më human, më i dashur e më paqësor. Muaji i Ramazanit është muaji i rahmetit e bereqetit, është muaj i Shpalljes së Kuranit, është muaj i fitores mbi të keqen, është muaj në të cilin është Nata e madhe e Kadrit, është muaj që na ofron të gjithëve në të njëjtën kohë rreth sofrës së iftarit e syfyrit, na tubon rreth nimetin e bereqetit të Allahut. Na ofron te skamnorët, jetimët, na ofron me të gjithë nevojtarët", theksoi Tërnava.

Ai nënvizoi se Ramazani i sivjetshë, për ne ka një rëndësi të veçantë, ngase siç dihet ne jemi në vitin jubilarë të pavarësisë së shqiptarëve, andaj në këtë muaj të mëshirës apeloj te të gjithë faktorët relevant që në këtë përvjetor, të jemi mirënjohës ndaj Zotit, të njohim kontributin dhe flijimin e brezave që sakrifikuan për pavarësi e mëvetësi, të angazhohemi që idealet e të parëve tanë të jetësohen, pra të ndërtojmë një shoqëri me integritet, e bashkuar, unike, e zhvilluar, paqësore dhe e lirë.

Edhe kryetari i Komuniteti Mysliman në Shqipëri, Haxhi Selim Muça ka uruar të gjithë besimtarët me rastin e Ramazanit.

Selim_Muca

"Ramazani është muaji i faljes, ta falim njëri-tjetrin, sepse gjithsecili ka dikë për të falur. Ky është muaji i dashurisë, ta duam njëri-tjetrin për hir të Krijuesit. Ky është muaji i mëshirës, ti mëshirojmë krijesat e Zotit, që të na mëshirojë Krijuesi ynë. Ky është muaji i ndihmës. Mos të mbetet njeri i varfër në këtë muaj. Ramazani vjen që të begatojë shpirtërat dhe mendjet tona, që të krijojë një atmosferë mirëkuptimi, mirësjelljeje, devocioni; një atmosferë bujarie e paqtimi duke na emancipuar në veprat dhe mendimet tona.Ramazani ka për qëllim kryesor devotshmërinë e njeriut, pastrimin shpirtëror dhe edukimin e tij me vlera dhe aspirata të larta. Ky muaj na nxit që të jemi gjithmonë të gatshëm të bëhemi më humanë dhe udhërrëfyes për të mirën e përgjithshme, për fe e atdhe. Së fundi i lutem Zotit që ky muaj të sjellë në familjen e çdo  shqiptari paqe, qetësi dhe harmoni. Allahu i Gjithëmëshirshëm e begatoftë popullin, vendin dhe kombin tonë. Paçi mirësi e begati dhe Zoti jua pranoftë agjërimin dhe adhurimet e tjera", thuhet në mesazhin e kreut të KMSH-së, H.Selim Muça. (INA)



No comments:

Post a Comment