Tuesday, July 31, 2012

Nuk ka shqiptarë në zonat e luftimeve në Siri

Luftimet që po zhvillohen në Siri kanë prekur edhe shqiptarët. Megjithëkëtë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës bëjnë të ditur se nuk ka asnjë shtetas kosovarë që ndodhet në pjesët ku po zhvillohen luftimet. Zëvendës ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi tha se janë evakuuar të gjithë shqiptarët që në Damask të Sirisë jetojnë që nga koha e perandorisë osmane, transmeton RTK.

"Ju konfirmojë se Ministria e Punëve të Jashtme përmes ambasadës së Kosovës në Stamboll dhe ambasadës në Riad, e ka të konfirmuar që nuk ka kosovarë apo qytetarë të Kosovës rezidentë të Sirisë më në Damask. I kemi evakuuar të gjithë. Ekzistojnë një apo dy gazetarë që janë atje profesionalisht. Ndërsa për ata që flitet se janë shqiptarë janë familje të vjetra muhaxhire nga perandoria otomane të cilat atje me shekuj", tha Selimi.

Ndërkohë sipas publicistit shqiptar në Siri, Muhamed Mufaku-Arnauti janë vrarë Munir Arnauti dhe Behlul Arnauti, emrat e të cilëve janë konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Përplasjet ndërmjet forcave qeveritare dhe atyre të opozitës në Siri që nisën në mars të vitit 2011, janë zhvendosur dhe intensifikuar në Alepo, qytetin më të madh dhe qendrën komerciale të vendit. (INA)



No comments:

Post a Comment