Monday, July 9, 2012

PDSH: BDI vazhdon të jetë zero

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka drejtuar akuza ndaj BDI-së lidhur me përfaqësimin dhe anashkalimin e shqiptarëve. 

Deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi theksoi se zeroja vazhdon të mbetet numri i preferuar i BDI-së. "Zero investime kapitale, zero investime ne arsim, shkencë, kulturë, shëndetësi… Gjithandej për shqiptarët  investimet janë  vetëm zero. Zeron më të re BDI-ja ua servoi shqiptarëve në konkursin e ri në pranimin e kuadrit mjekësor në institucionet shëndetësore, ku nuk u pranua asnjë shqiptar i vetëm", theksoi deputeti Ibrahimi. 

Sipas tij, pala  maqedonase për çdo ditë punëson maqedonas dhe ky numër sot, për 4 vite qeverisje VMRO-BDI arrin shifrën e dhjetëra mijëra të punësuar maqedonas. 

"Si pasojë e gjithë kësaj, përqindja e shqiptarëve gjatë periudhës 4 vjeçare të kësaj qeverie, nëpër institucionet shtetërore jo që  është rritur, por përkundrazi kemi rënie drastike. Shumëkush problemin e mosrespektimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore tenton ta paraqesë si pengese ligjore. Kjo është tendencë për relativizim të faktorit kryesor për mospasjen e qasjes së shqiptarëve nëpër institucionet, e që në fakt është servilizmi dhe mospasja e ndikimit politik të BDI-së në këtë qeveri", theksoi Ibrahimi.

PDSH vlerëson se konstatimi i gjithë kësaj katrahure në të cilën gjenden shqiptarët është se BDI-ja na u marrka me “procese të mëdhaja”, ku për fat të keq në këto procese të tyre nuk hyjnë shqiptarët. (INA)



No comments:

Post a Comment