Sunday, July 8, 2012

RDK: Shqiptarët po anashkalohen në konkurset e fundit

RDK vlerëson se shqiptarët po diskriminohen me konkurset e fundit të punësimeve, sic është konkursi i fundit i punësimit të 200 punonjësve të shëndetësisë. 

“Fakti që nga 16 mjekë të punësuar në Spitalin e Qytetit të Shkupit 8 Shtatori nuk ka asnjë shqiptar është vetëm një problem i vetëm. Fakti se shqiptarët po injorohen në konkursin e fundit të punësimit të 200 punonjësve shëndetësor, është një pjesë e problemit. Fakti që Ministri i shëndetësisë ka paralajmëruar se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk do të merret parasysh as në konkursin tjetër që do të realizohet së shpejti, për punësimin e 200 punonjësve të tjerë shëndetësor në shëndetësinë primare është një problem serioz. Fakti se kjo do të vazhdojë edhe më tej në të ardhmen – bazuar në ligjin e ri të shëndetësisë, të votuar nga VMRO dhe BDI, që nuk merr parasysh përfaqësimin e drejtë dhe adekuat – është thelbi i problemit që konfirmon edhe njëherë injorancën juridike ekstreme të partisë shqiptare në pushtet, BDI”, thekson Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK). 

Kjo parti thekson se edhe në të kaluarën ka tërhequr vërejtjen se ligjet që vet BDI i miraton bëhen pengesë për realimizim e të drejtave të shqiptarëve ose shërbejnë për të mashtruar shqiptarët për moszgjidhjen e problemeve të tyre. 

“Përmendim këtu edhe njëherë ligjin me të cilin zvogëlohen përmasat e flamurit shqiptar; të ashtuquajturën Marrëveshje të Majit që nuk e ka parë askush, për mashtrimin e ish-luftëtarëve; ligjin e BDI-së që ka shkaktuar kufizimin ekstrem të përdorimit të gjuhës shqipe; pamundësinë e ndryshimit të emrit të katër shkollave me procedurë të rregullt, nga ata që rrihnin gjoks edhe për emra shqiptarë në Strumicë; dhe së fundmi edhe ligjin e ri për shëndetësinë. RDK shpreh keqardhjen që, në vend se deputetët e BDI-së të paktën t'i lexojnë ligjet që i miratojnë në kunvend dhe në vend që BDI të ngrejë në organet e qeverisjes problemet që i prekin shqiptarët, partia shqiptare në pushtet merret me mashtrimin e opinionit publik dhe shprehjen e mendjemadhësisë dhe arrogancës politike, përmes thurjes së frazave të thata, që tentojnë të bëjnë ngopjen e popullit shqiptar me lugën bosh”, reagon RDK. (INA)



No comments:

Post a Comment