Wednesday, July 4, 2012

Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunim me Regjionin e Normandisë së Poshtme të Francës

Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe Regjioni i Normandisë së Poshtme të Francës  vazhdojnë bashkëpunimin e filluar që nga viti 2006, duke nënshkruar tani Marrëveshjen për realizimin e Programit për bashkëpunim të decentralizuar  ndërmjet Normandisë së Poshtme dhe Republikës së Maqedonisë, të cilës i paraprinë Marrëveshja e vitit 2009.

Marrëveshjen për bashkëpunim e nënshkruan Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Nevzat Bejta dhe zëvendës kryetarja e Regjionit të Normandisë së Poshtme, Korin Feret, e cila i printe delegacionit disa anëtarësh, në të cilin ishte i pranishëm edhe ambasadori i Francës në Maqedoni, Jean Claude Schlumberge.

Ministri Nevzat Bejta në takimin punues me delegacionin francez shprehu kënaqësinë e tij për bashkëpunimin e deritashëm veçanërisht me Regjionin e Normandisë së Poshtme i cili ka rezultuar me projekte të shumta në fusha të ndryshme.

"Franca ka dhënë kontribut të çmueshëm në Republikën e Maqedonisë, sidomos në zbatimin e procesit të decentralizimit, zhvillimin e barabartë regjional. Shpresoj se një model i atillë do të shërbej edhe te ne përmes këmbimit të përvojave dhe praktikave për decentralizim të suksesshëm që është një nga shtyllat e demokratizimit të shoqërisë. Sot jemi këtu, që të nënshkruajmë Marrëveshjen për bashkëpunim për periudhë trevjeçare në disa fusha, sidomos në thellimin e procesit të decentralizimit, zhvillimin institucional, në lëminë e të drejtave të barabarta, trashëgimisë kulturore, ngritjes së kapaciteteve në njësitë e vetadministrimit lokal dhe zhvillim të barabartë regjional, zhvillimin e politikës bujqësore dhe të drejtat e njeriut. Për këtë qëllim në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale do të formohet Komision i veçantë për realizimin sa më të suksesshëm të bashkëpunimit me Regjionin e Normandisë së Poshtme dhe jetësimin e projekteve të parapara", tha ministri Bejta. 

"Ne duam që komunat dhe regjionet në Maqedoni të zhvillohen në mënyrë të barabartë sepse vetëm ashtu do të jemi të barabartë me shtetet e zhvilluara evropiane  dhe vetëm ashtu do të realizojmë synimin tonë për përkushtim ndaj qytetarëve dhe për të mirën e tyre", theksoi mes tjerash ministri Nevzat Bejta.

Nënkryetarja e Regjionit të Normandisë së Poshtme, Corinne Feret, shprehu gatishmërinë e saj dhe Regjionit të Normandisë së Poshtme për vazhdimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm duke nënvizuar se ekziston dëshirë për të ndihmuar dhe për realizimin e projekteve të parapara për periudhën e ardhshme. 

"Qëllimi ynë është që regjionet në Maqedoni të aftësohen për zhvillim të mëtutjeshëm dhe ti realizojmë projektet e hartuara, për çka do të punojmë në disa lëmi, në qeverisjen e mirë lokale, në kulturë, në kapacitetet institucionale në afrimin e qyteteve tona përmes vëllazërimit dhe këmbimin e përvojës sonë me qytetarët e Maqedonisë", deklaroi Feret.

Takimin punues e përshëndeti edhe ambasadori Francey Schlumberge, i cili theksoi se ambasada franceze çmon lartë bashkëpunimin e deritashëm  dhe vlerëson se zgjedhja e Maqedonisë për bashkëpunim është një vendim i arsyeshëm duke çmuar lartë përkushtimin e deritashëm, sidomos në përpjekjet për procesin e decentralizimit.

Ky bashkëpunim është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta  të Maqedonisë dhe Normandisë së Poshtme  për hapjen e territoreve të tyre  ndaj botës dhe ta nxisin popullatën e tyre për qytetërim aktiv në nivel lokal dhe evropian përmes reciprocitetit të ndërsjellë dhe respektimin e së drejtës evropiane. 

Programi ka të bëje me qeverisjen e mirë lokale në të gjitha temat e bashkëpunimit, zhvillimin e kapaciteteve të popullsisë lokale, si dhe këmbimin e përvojave dhe praktikave të mira. Qëllimet kryesore të projektit janë forcimi i kapaciteteve të pushtetit lokal për zbatimin e procesit të decentralizimit, të nxisin pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe të ndihmojnë zhvillimin e qëndrueshëm të tyre. 

Në suaza të Marrëveshjes për bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Regjionit të Normandisë së Poshtme në periudhën e ardhshme do të realizohen projekte  në funksion të forcimit të qeverisjes së mirë, zhvillimin e institucioneve të pushtetit lokal, pjesëmarrjen e qytetarëve në punët lokale publike, zhvillimin e barabartë regjional  dhe ndihmë në procesin e integrimit të Republikës së Maqedonisë në Unionin Evropian. (INA)

 



No comments:

Post a Comment