Monday, August 13, 2012

SHBA: Maqedonia para shumë sfidave 11 vjet pas M.O

Ambasada amerikane në Shkup është deklaruar lidhur me 11 vjetorin e firmosjes së Marrëveshjes së Ohrit. 

“Para njëmbëdhjetë vite Maqedonia u ballafaqua me rrezikun e një lufte të përgjakur qytetare.  Duke iu falënderuar guximit dhe vizionit të liderëve politik të këtij vendi, dhe negociatave të kujdesshme të diplomatëve amerikan dhe evropian, në datën e sotme në vitin 2001 u nënshkrua Marrëveshja  kornizë e Ohrit dhe u shmang lufta.  Ajo marrëveshje historike mundësoi progresin e këtij vendi drejt një shoqërie stabile multietnike, multikulturore dhe multikonfesionale, dhe drejt qëllimit për integrim të plotë në komunitetin euro-atlantik”, theksohet në komunikatën e ambasadës amerikane. 

Sipas saj, 11  vite më vonë, Maqedonia ballafaqohet me shumë sfida dhe përsëri, vizioni e guximi i liderëve politik janë të rëndësishëm për ti tejkaluar ato sfida.  

“Përshendesim ata qytetarë dhe liderë të cilët i kanë lënë anash dallimet në kërkim të një demokracie të hapur, të sigurtë dhe dinamike e cila premton paqë dhe prosperitet për të gjithë qytetarët, pa marr parasysh përkatësine etnike, gjininë, fenë apo bindjet politike. Në këtë kërkim Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të jenë pranë Maqedonisë.  Ne krenohemi me partneritetin që kemi me këtë shtet që nga pavarsia e tij, dhe presim të shohim atë në vendin e merituar si anëtar i plotë dhe i mirëpritur i komunitetit euro-atlantik, dhe të bëhet më i fuqishëm si një vend i shumëllojshëm, i sigurt dhe përparimtar”, thuhet në deklaratën e SHBA-ve. (INA)



No comments:

Post a Comment