Saturday, August 11, 2012

Thaçi: Pse me LSDM, Rufi Osmani gaboi

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka deklaruar se patjetër ka qenë nevoja për tu qasur drejt një opozite të bashkuar midis shqiptarëve dhe maqedonasve për të nxjerrë vendin nga kriza në të cilën ndodhet.

"Si dy parti më të mëdha opozitare patjetër duhej qasur drejt një marrëveshje serioze, për ti dhënë shpresë qytetarëve, por edhe të përcjellim porosinë tek bashkësia ndërkombëtare se ka alternativë serioze që mund të nxjerrë vendin nga proceset e bllokuara euroatlatnike, kriza ekonomike dhe mosfunksionimi i institucioneve. Kjo është diçka e re, e paparë në Maqedoni dhe jam i bindur se qytetarët do ta kuptojnë", ka deklaruar kryetari i PDSH-së në një intervistë për të përditshmen "Dnevnik".

Ai ka shtuar se me LSDM e Branko Cërvenkovski lehtësisht do të gjejnë gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e kërkesave të PDSH-së sidomos për shpërndarjen e drejtë të buxhetit shtetëror midis maqedonasve dhe shqiptarëve, çështjen e konsensusit për vendime qeveritare dhe çështje të tjera me rëndësi. Sipas tij, PDSH vlerëson se Marrëveshja e Ohrit është tejkaluar, ndërsa LSDM vlerëson se kjo marrëveshje është kornizë e mjaftueshme për të zhvilluar dhe avancuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

I pyetur lidhur me refuzimin publik të kreut të RDK-së, Rufi Osmani për t`iu bashkëngjitur bllokut opozitar PDSH – LSDM, Thaçi deklaroi se nuk ka pasur ndonjë ofertë për Osmanin nga opozita maqedonase. 

"Nuk kam biseduar me Osmanin, por me Cërvenkovksin, i cili i ka drejtuar porosinë se PDSH do të pres edhe disa ditë. Por kam vërejtur nervozizmin tek Osmani. Ditën kur kam biseduar me Cërvenkovskin, të nesërmen Osmani tha se nuk do të bashkëpunoj me ne. Jam i bindur se gabon. Por, për fat të keq, nuk e kupton këtë. Jam i bindur se në zgjedhje ai dhe partia e tij do të shkojnë në histori", ka deklaruar Thaçi.

Ai ka folur edhe për dosjet dhe se sipas tij, dosjet për kreun e BDI do të bëhen të qarta pas hapjes së arkivave të Beogradit. Thaçi ka folur edhe për praninë e tij në listën e zezë amerikane, duke shtuar se pret që në shtator të shqyrtojë mundësinë për të aplikuar për vizë amerikane dhe qasja e administratës dhe ambasadës amerikane ndaj tij tashmë është e ndryshuar. (INA)



No comments:

Post a Comment