Thursday, August 23, 2012

Filluan Mbrëmjet Strugane të Poezisë

Me mbjelljen tradicionale të drurit në  Parkun e poezisë në Strugë, nga ana e laureatit të sivjetëm të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, poetit nga Afrika e Jugut, Dr. Mongane Ëally Serote(Mongane Vali Serota), simbolikisht filluan MSP.

Gjatë ceremonisë së mbjelljes së drurit në Parkun e poezisë, ishin tubuar shumë poet, krijues, pjesëmarrës në MSP dhe qytetar të shumtë, e ndër ta edhe poeti laureate i vitit të kaluar, Akademik Mateja Matevski.

Në fjalën e tij të rastit, Dr. Mongane Ëally Serote, i cili paraprakisht ishte pritur nga kryetari i komunës së Strugës,- theksoi se: "Gjatë këtyre katër ditëve të qëndrimit të tij në Strugë, ai do të jetë kryetar i komunës së Strugës", gjë e cila i është thënë nga ana e kryetarit të komunës, në shenjë respekti dhe nderimi për laureatin e sivjetëm të MSP, poetin nga Afrika e Jugut, Dr. Mongane Ëally Serote.

Më pas, në sallën e press konferencave në hotelin "Drim", Dr. Mongane Ëally Serote dha një konferencë për gazetar.

Gjatë prezantimit të laureatit të sivjetëm para gazetarëve, kryetari i Këshillit Drejtues, Sllave Gjorgje Dimoski, theksoi se përkundër faktit që Afrika e Jugut është vend i largët, ky është rast që të afrohen dy popuj përmes poezisë.

Drejtori i festivalit poetik,  Mite Stefoski, në fjalën e tij të rastit theksoi se sivjet do të përpiqen që të bëjnë ca ndryshime dhe risi, duke ruajtur dialogun ndërmjet civilizimeve përmes poezisë.

Laureati Dr. Mongane Ëally Serote mes tjerash tha: "Është privilegj dhe nderë që nga një vend i largët, përmes festivalit Mbrëmjet Strugane të Poezisë, ai nderohet me këtë çmim të lartë.  Ne gati 300 vjet luftojmë për liri dhe barazi të plotë, për të drejtat tona të cunguara. Lufta për liri dhe të drejta në vendin tim ka zgjatur deri në vitin 1994, kur për herë të parë disa njerëz kanë mundur të votojnë. Nuk mund ta përshkruaj ndjenjën kur u bëmë të barabartë me të tjerët, që rezultoi me bëmjen e Afrikës së Jugut një shtet tejet funkcional".

Në vazhdim të fjalës së tij të zgjatur, ai shtoi: "Për jetën në Afrikën e Jugut janë shkruar shumë poezi, romane etj, dhe unë tani në institucionin ku punoj u sugjeroj njerzve që të besojnë gjithnjë në një të ardhme gjithnjë e më të mirë".

Sa i përket  çmimit "Kurora e Artë e Mbrëmjeve Strugane të Poezisë", Dr. Mongane Ëally Serote shtoi: " Ky çmim , ose më mirë të them këtë çmim ia jepni popullit tim . Tani unë jamë bërë sy e veshë, për të përcjellur atje këto që shof këtu. Kur do të këthehem me bashkëshorten time atje, do të më pyesin se ku gjindet Maqedonia"-përfundoi Dr. Mongane Ëally Serote fjalën e tij, për ti lënë vend edhe pyetjeve të shumta të gazetarëve të pranishëm. 

Ndër aktivitetet që do të zhvillohen në orët në vazhdim, po përmendim ndarjen e një çmimi Grand-Prix, nga Akademia "Mihail Eminesku" nga Rumania, për ministreshën e kulturës, Dr. Elizabeta Kançeska-Milevska, në ambijentet e shtëpisë përkujtimore të Vëllezërve Milladinovci, ndërkaq ministresha Dr. Elizabeta Kançeska-Milevska, do të organizojë një pritje për poetët pjesëmarrës dhe të ftuarit e festivalit MSP, në ambijentet e hotelit "Drim" me fillim në ora 19.00.

Hapja solemne e festivalit është paraparë që të zhvillohet në ora 20.30, me deklamimin e poezisë së Dimitrije Milladinovit, "Malli për jugun", që sivjet pas shumë e shumë viteve do të deklamojë një nga pasardhësit e familjes Milladinovi-Riste Milladinov. 

Vlen të theksohet se sivjet, me përzgjedhjen e poetes Puntorie Muça-Ziba, në këtë festival poetik janë ftuar edhe 12  poet shqiptar nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria. Nga Maqedonia janë ftuar pos selektores Puntorie Muça-Ziba edhe poetët: Xheladin Muça, Bexhet Asani, Nuhi Vinca, Nehas Sopaj, Sadije Aliti, Lulzim Haziri dhe Ahmet Selmani.  Nga Kosova është ftuar Basri Çapriqi, ndërsa nga Shqipëria janë ftuar: Krenar Zejno, Shpëtim Kelmendi dhe Mimoza Rexhvelaj. 

Festivali i sivjetëm i Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, ka edhe një të veçntë tjetër, sepse regjisor i festivalit është regjisori Xheladin Poshka, tashmë i punësuar në MSP, ndërsa skenografinë e ka bërë skenografi shqiptar Besart Kolonja-skenograf i diplomuar, poashtu i punësuar në MSP. (INA)



No comments:

Post a Comment