Tuesday, August 21, 2012

RDK: Propozim-ligji për "branitelat" rindez konflikte në Maqedoni

Propozim ligji për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë të Republikës së Maqedonisë  dhe familjeve të tyre, i futur në procedurë parlamentare me propozim të grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE, edhe një herë nxjerr në pah politikën populiste dhe në thelb antishqiptare të qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Ky reagim vjen nga Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK).

Kjo parti shpreh bindjen e thellë se ky veprim i qeverisë nuk kontribuon në përmirësimin e ambientit politik në vend.

RDK vlerëson, iniciativa për ri-miratim të një ligji të tillë, 11 vite pas konfliktit të vitit 2001, ka për qëllim të mbajë të tensionuara marrëdhëniet ndëretnike, veprim ky që mund të sjellë përfitime vetëm për pushtetarët, por jo edhe për qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Ligji, në frymë dhe germë, është në kundërshtim të plotë me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe, për më tepër, promovon pabarazinë mes qytetarëve duke i ndarë ata në "mbrojtës" dhe "terroristë".

"Fakti se në nenet e tij në mënyrë të thuktë përjashtohen pjesëtarët e UÇK-së dhe të gjithë ata qytetarë jo maqedonas që në një formë apo tjetër kanë qenë viktima të atij konflikti të armatosur, tregon për qasjen ofenduese dhe përjashtuese të këtij propozim ligji. Edhe pse propozimi për miratimin e këtij ligji bazohet në nenin 36 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, RDK vlerëson se iniciatorët kanë bërë një interpretim të gabuar dhe plotësisht oportun të këtij neni, pasi në asnjë rast 'branitellat' nuk kanë bërë 'luftë nacional – çlirimtare',", thekson RDK.

Sipas kësaj partie, ky ligj vjen si propozim në një kohë kur në radhët e qeverisë së Republikës së Maqedonisë janë shpeshtuar deklaratat me konotacion përçmues dhe ofendues ndaj shqiptarëve, veprime plotësisht të dënueshme për një qeveri multietnike të një shteti multi-etnik.

"Qëndrimet e fundit të kryeministrit Nikolla Gruevski gjatë festimeve të 20 vjetorit të ARM-së, vlerësimet për konfliktin e vitit 2001, të sjella në fjalorin e vitit 2012, s'do mend se janë hapa prapa në përpjekjet për ndërtimin e Maqedonisë si një shtet modern me harmoni ndëretnike dhe vlera perëndimore. Një aspekt tjetër thuajse i pavërejtur, por gjithsesi i rëndësishëm, ka të bëjë edhe me faktin se një pjesë e madhe e barës financiare për zbatimin e këtij ligji i hidhet mbi shpinë pushtetit lokal. Një zgjidhje e këtillë, veç tjerash, nxjerr në pah joseriozitetin e kësaj ndërmarrjeje legjislative si dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet qeveria e Republikës së Maqedonisë në realizimin e buxhetit", thekson RDK.

Sipas partisë së Rufi Osmanit, ky propozim ligj ka për qëllim punësime të reja partiake në administratën shtetërore, që në prag të zgjedhjeve të pranverës 2013 do të kthehen në votues të partive që përbëjnë koalicionin qeveritar.

RDK i bën thirrje partisë shqiptare në pushtet, që të shprehet qartë dhe prerë kundër miratimit të këtij propozim ligji dhe jo, siç bën zakonisht, të pranojë kompromise naive dhe të lëshohet në interpretime boshe dhe që gjithnjë përfundojnë me zgjidhje sa për sy e faqe të problemeve me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Maqedonisë në përgjithësi, apo zgjidhjen e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së ne veçanti.

"Shitja e servilizmit si politikë madhore nuk sjell asgjë të mirë për shqiptarët, pasi një qasje e këtillë e BDI-së, dhe jo vetëm asaj në dy dekadat e fundit, ndaj politikës së kryeministrit Gruevski ka përfunduar me zhgënjim ose zgjidhje parciale të kërkesave të shqiptarëve, siç është rasti me Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe apo edhe me vetë devalvimin e Marrëveshjes Kornizë së Ohrit", nënvizon RDK. (INA)



No comments:

Post a Comment