Tuesday, August 28, 2012

Shala: Bashkëpunojmë për interes të shtetit

Nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Blerim Shala, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Qeverinë në çështjet e interesit shtetëror, siç janë çështja e veriut, përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe reforma zgjedhore.

Këtë përkushtim, Shala ia përcjelli edhe ambasadores amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.

Shala shprehu gatishmërinë e Aleancës për të bashkëpunuar për çështjet e interesit shtetëror, teksa tha se për të gjitha temat duhet punuar gjithmonë bashkërisht në të mirë të qytetarëve. Ai tha më tej se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm në Kosovë dhe miqësia e vendosur tash e dhjetëra vjet mes Kosovës dhe SHBA-së do të jetë një kontribut i madh që vendi ynë t'i arrijë të përballet me sprovat e mëdha të cilat e presin.

Ndërsa ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e vlerësoi si shumë të rëndësishëm normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, raporton RTK. Ajo tha se mbështetja e AAK-së në këtë çështje, sikurse edhe në shumë çështje të tjera, është shumë e rëndësishme.

"Ne biseduam edhe për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe për mbështetjen e AAK-së që do të çonte drejt normalizimit të atyre marrëdhënieve. Patëm rastin po ashtu që të bisedojmë edhe për agjendën e cila do të jetë pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë që ka të bëjë me reformën zgjedhore", tha Jacobson. (INA)



No comments:

Post a Comment