Thursday, August 16, 2012

Në kujtim të Arbën Xhaferrit

Arbëni la një boshllëk të madh me vdekjen e tij, por mbetem me shpresë se shumë ide të tij, jo vetëm do të studiohen por dhe do jetësohen.

Në raste vdekjesh njerëzish të rëndësishëm është e udhës që të shkruhet rreth tyre me fjalë të mira. Çdokush ka arsyet e veta, për ta bërë një gjë të tillë. Unë kam arsyet e mia të fuqishme për tu shprehur për Arbën Xhaferin, këtë njeri të paharrueshëm,  këtë njeri të madh, jeta e të cilit veçanërisht këto vitet e fundit pati pika kontakti me jetën time. Largimi i tij fizik nga kjo botë, nuk është vetëm burim dhimbjeje për  familjen, por për të gjithë ata që e konsiderojnë veten njeri.

Ai do të na mungojë të gjithëve me idetë e tij, me vizionin, me shembullin, me njerëzillëkun e tij, sepse ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Arbëri ka qenë, si thuhet,(pasi që unë nuk e kam njojhur Atëherë),një nga gazetarët më të mëdhenj të Kosovës së viteve 80. Mësova se ai ishte aktiv në elitën kulturore të Kosovës së atyre viteve, e cila grumbullonte më të zotët në profesionet e ndryshme prej gjithë hapësirës shqiptare në ish Jugosllavi.

Ai nuk u rreshtua megjithatë në elitën politike të Kosovës, e asaj elite që masovikisht ishte shndërruar pjesë besnike e regjimit jugosllav. Ishte kjo elitë, fëmijët e saj, që me përbuzjen për mua, të ardhur nga Mareci, që do sfidoja botën me kulturnën dhe rrobat e anës time, kishte ofruar burimin më të madh të nxitjes që në Perëndim unë të arrija suksese të mëdha.  Edhe sot në vitet 2000, një pjesë e kësaj ish elite, e shndërruar politikisht vazhdonte të më luftonte, siç tregoj në librin tim autobiografik"nga sfida në sfidë".

Pasi që unë isha I larguar nga Kosova, Arbënin nuk e njihja. Kisha dëgjuar gjithashtu se në fillim të viteve 90, Arbëni u bë nga politikanët prijës të popullit shqiptar të Maqedonisë, por unë s'merresha me politikë asokohe, ndaj s'kisha patur shans ta takoja. Njerëzit e familjes sime në Hajvali ishin fqinj me të, dhe dëgjoja vazhdimisht fjalë të mira rreth tij, nga babai im, I cili kishte marëdhënie shumë të mira me të. Ai në Hajvali, afër babait tim, punonte vazhdimisht për të ngritur me duart e veta shtëpinë e tij. 

Ishte kjo diçka e jashtëzakonshme për një intelektual të nivelit  të tij, i cili grumbullonte rreth vetes në atë shtëpi në Hajvali, shumë prej mendimit kritik intelektual shqiptar ndaj zhvillimeve të atëhershme. Supozoj se se prej atëherë ai dinte shumë rreth meje, sakohë që nga stafi im pak kohë më parë  më erdhi një kritikë dashamirëse e tij, lidhur me daljet e mia në televizion. "Behgjeti i jep shpjegime me shumë edukatë të gjithë gazetarëve, edhe atyre provokativë që bëjnë lojëra politike, duke u përfshirë seriozisht dhe me emocione në sqarime.

Ngjan sikur ruan akoma kompleksin e babait autoritar"- thoshte vazhdimisht Arbëni për mua. Ia  kishte qëlluar. Unë isha rritur në një familje ku figura e babait ishte autoriteti kryesor. Në një farë mënyre unë ndihesha në faj me ikjen time në perëndim pa i thënë atij.  

Kthimi im në Kosovë, punët që kam bërë këtu, kanë qenë një përpjekje për të korrigjuar "atë faj", të asaj kohe. Pra po përpiqesha t'i thoja babait tim se vërtet kisha ikur pa izën e tij, porse kisha ardhur me mend, dhe do bëja shumë për Kosovën, që ta nderoja atë, veten dhe emrin e mirë të familjes. Po ashtu vija nga Perëndimi ku figura e gazetarit respektohej shumë, megjithëse nuk ndodhte rëndom si tek ne, ku njeriu I mediave bëhet pjesë e establishmenteve politike ose shfrytëzon pirivilegjin e të qenurit gazetar për të sharë e ofenduar njerëzit.

Arbëni m'a bëri vërejtjen për kompleksin ndaj prindit drejtpërdrejt në një takim të parë të gjatë që pata me të dy vjet më parë. Më vonë kisha nderin ta kisha musafir në shtëpinë time gjatë një darke me ish Presidentin Mesiç dhe dy ish Presidentët e Shqipërisë, Moisiu dhe Meidani dhe aty u zhvilluan biseda shumë interesante, dhe të ju them të drejtën unë fillova jo vetëm ta admiroj por edhe ta dua Arbën Xhaferrin.
Në mars 2007, nuk pata mundësinë të merrja pjesë në një conference të organizuar në Durrës, ku Arbëni hodhi idenë e tij për një Komunuelth ekonomik shqiptar.

Sipas kësaj ideje që Arbëni e shtjelloi hollësisht për herë të parë dhe që u ndoq nga plot propozime të ngjashme, qeveritë ku banojnë shqiptarët, ajo e Shqipërisë, e Kosovës, e Maqedonisë, duhet të takohen periodikisht për të diskutuar dhe vendosur zgjidhjen e problemeve të ndryshme jo vetëm ekonomike. Këto takime duhet të jenë në të gjitha fushat, dhe ky lloj bashkëpunimi duhet të ketë institucionet e veta sipas modelit të Komunuelthit britanik, të frymëzuara nga bindja se hapësira ku jetojnë shqiptarët duhet të jetë një hapësirë mirëqenieje, begatie, bashkëjetese me fqinjët.

Ishte një ide brilante, që më ka shoqëruar gjatë gjithë aktivitetit tim politik. Gjatë kohës sa ushtrova funksionin Presidentit të Kosovës, kurrsesi nuk doja ta anashkaloj që të potencoj gjegjësisht ta shtyej përpara këtë ide të Arbën Xhaferrit në parlamentin e Shqipërisë. Kishte shumë mundësi, "ndaj thashë duhet të punojmë për këtë lloj bashkimi ekonomik të shqiptarëve, pa shkelur asnjë tabu, në përputhje dhe me rekomandimet e miqve tanë perëndimorë".  
Unë ja përmenda emrin Arbënit në parlamentin shqiptar në atë fjalim që u duartrokit gjatë nga deputetët e dy krahëve, dhe si një gjest mirënjohje për autorësinë e asaj ideje.

Në fund të fundit ky është qëllimi i politikanëve: të punojnë për idetë e mendimtarëve të shquar, që hapin rrugën e veprimit politik, për të ardhmen e kombeve. Unë kisha dhe kam ide ekonomike dhe dija ta përktheja mirë atë vizion të Arbnit. Për fatin tim unë e zgjerova dhe ndryshova cilësisht begraundin e njerëzve me të cilët këshillohesha: Arbni ishte një mendimtar i cili me këshillat e tij do t'i bënte nder çdo presidenti europian.  Ai nuk kishte asnjë prej paragjykimeve banale që rrethojnë çdo veprim, çdo gjykim timin në Prishtinë. Arbni thoshte në rreth miqsh për mua, se "të paktën Behgjeti nuk i merr Kosovës si të tjerët, por i jep asaj". Unë I gëzohesha këtij mendimi të tij për mua sepse ishte mendim real.  Pas vendosjes së kontakteve mes nesh, Arbëni pa asnjë paragjykim vendosi të më bashkohej në përpjekjet e mia për ta jetësuar idenë, në Lëvizjen për Hapësirën Mbarëkombëtare të Zhvillimit.

Ne organizuam në Tiranë në shtator 2010 një konferencë shkencore të disa universiteteve nga Shqipëria dhe Kosova, prej nga ku lindi ideja e Lëvizjes. Çdo dokument i saj, thirrja që erdhi prej konferencës , emrat e Bordit drejtues ku dhe ai bënte pjesë, ishin lëvizje të konsultuara me Arbënin, i cili në pamundësi fizike nuk erdhi dot në atë konferencë.
Por ishte mendërisht aty: me fjalimin e tij, me idetë, me mbështetjen, me emrin e tij.

Prej asaj kohe jam takuar disa herë të tjera me Arbënin, dhe mirëkuptimi ynë forcohej vazhdimisht. Miqësia e tij ishte shumë e rëndësishme për mua, ndërsa si dhe dikur, prej qarqesh të caktuara në Prishtinë, vazhdimisht dhe në çdo rast kontestoheshin idetë e mia. Më dukej se si dikur mbrapa kësaj lufte të ftohtë apo të nxehtë kundër meje, qëndronte ajo urrejtja e dikurshme ndaj meje, njeriut të suksesshëm në shkollim, biznes apo më tej, që nuk vinte prej kësaj elite.  Kemi diskutuar me Arbnin si t'i jepnim jetë Lëvizjes nëpërmjet disa aktiviteteve të para, me botime, konferenca shkencore, etj.

Arbëni insistonte që  heqja e barrierave mes shqiptarëve kah bashkimi ekonomik , integrimi i tyre duhej patjetër të forcohej dhe nëpërmjet disa pikave të përbashkëta të referimit kulturor dhe sportiv siç ishin kampionatet sportive mbarëshqiptare, etj, etj. Jam konsultuar drejtpërdrejt apo dhe nëpërmjet stafit tim me Arbnin dhe për disa iniciativa të miat lansuara gjatë vizitës sime si President në Maqedoni, në lidhje me pajtimin për çështjen e teqesë së Tetovës, për bashkëpunimin e faktorit shqiptar në zgjedhje, etj. 

Ende i kam të gjalla përshtypjet e një takimi të fundit me të, vetëm para disa ditësh, kur po diskutonim mundësitë e bashkëpunimit për këtë ide shumë të dashur për të, atë Hapësirës Mbarëkombëtare të zhvillimit.  Ai e ndiente Shqipërinë kudo ku jetojnë shqiptarët dhe I shërbente vazhdimisht kësaj ndjenje, këtij vizioni.

Gjatë bisedës sonë kishte diçka për të cilën ai reagoi me një vendosmëri që më mbeti në mendje, pas një reagimi timin që mbronte afirmimin e mëtejshëm të gegërishtes, krahas gjuhës standarte. Sipas Arbnit, nevoja e ruajtjes së gjuhës shqipe standart ishte jetike në kohët tona, si një nga monumentet e bashkimit dhe të qenies sonë kombëtare.

Arbëni la një boshllëk të madh me vdekjen e tij, por mbetem me shpresë se shumë ide të tij, jo vetëm do të studiohen por dhe do jetësohen. Në një rajon si ky joni, mbushur me armiqësi të vjetra dhe të reja, Arbëni ishte dikushi me të cilin ne mburreshim dhe të tjerët, fqinjët tanë na nderonin. Besoj shumë se dhe miqtë perëndimorë kanë pasur tek ai një bashkëbisedues të nivelit të lartë, të cilit dhe kur s'ja pranonin idetë, në heshtje ja admironin.

Shpresoj shumë që Arbëni tek ne do të le prapa, një shembull të shkëlqyeshëm të një njeriu me plot kuptimin e fjalës të një shkencëtari realist të një politikani të urtë, që asnjëherë nuk u mor me ndodhitë e rëndomta, asnjëherë nuk u tremb prej ndodhive në rajon, nuk u mor me njerëzit që e kundërshtonin atë, por synimi I tij ishte perspektiva globale dhe afatgjate e trojeve dhe njerezve tone I qoftë I lehtë dheu I shqiptarëve.



No comments:

Post a Comment