Wednesday, August 8, 2012

Xhudah: Nikoliq e sheh Kosovën me thjerrëza antike

"Nikoliq është i shkëputur nga realiteti dhe e sheh gjendjen në Kosovë me thjerrëza të vjetëruara", thotë publicisti britanik, Tim Xhudah, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. 

Sipas tij, nëse presidenti serb Tomislav Nikoliq këmbëngul me këtë qëndrim, atëherë dialogu eventual me Kosovën, nuk do të çojë askund.

“Do të duhet pak kohë për qeverinë e re në Serbi që të zë vend, ta marrë shtruar dhe të vendosë se çfarë do në të vërtetë të bëjë me Kosovën, cilat janë qëllimet e tyre në dialogun e ripërtërirë. Mendoj se do t'iu duhet pak kohë që t'i përshtaten realitetit të ri, sepse, nga ajo që zoti Nikoliq po thotë, mua më duket se ai është shumë, shumë i shkëputur nga realiteti i ri i Kosovës, si në terren, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar”, deklaroi Xhudah, duke shtuar se nëse Nikoliq këmbëngul që të flasë në këtë mënyrë, dialogu nuk do të çojë askund.

Sipas tij, situata në Kosovë do të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe do të menaxhohet siç është menaxhuar deri tash, në një mënyrë, duke penguar gjërat që të vlojnë.

“Është lehtë të flitet për zgjidhjen për Qipron, apo për Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe palestinezëve, por në fakt zgjidhjet nuk shfaqen vetvetiu, nuk zhvillohen ashtu. Derisa politikanët nuk pajtohen për gjërat, problemet barten me dekada dhe mendoj se është e mundur që kjo të ndodhë me veriun e Kosovës. Nuk pres që të ndodhë diçka dramatike”, deklaroi për REL, analisti Tim Xhudah. (INA)

 



No comments:

Post a Comment