Tuesday, August 7, 2012

“ZGJOHU!” reagon kundër konkursit të MPB-së

Lëvizja Qytetare ZGJOHU!  ka reaguar kundër konkursit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) që nuk përmbush detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve.

Kjo lëvizje nënvizon se është e shqetësuar nga raportet e fundit të mediave se me këtë konkurs janë përfshirë së paku vetëm 10 për qind të kandidatëve shqiptarë, duke anashkaluar dhe shkelur ndryshimet kushtetuese dhe procesin e përfaqësimit të shqiptarëve që duhet të jetë mbi 25 për qind.

"Çdo institucion shtetëror ka obligim ligjor që të ketë konsideratë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të komuniteteve në vend, përfshirë edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në rast se me konkursin e fundit të policisë nuk përfillet përfshirja e së paku 25% shqiptarëve, atëherë Ministria shkel Kushtetutën dhe ndryshimet Kushtetuese sipas Marrëveshjes së Ohrit, por edhe normën që regullon punën e policisë e cila thotë që gjatë punësimit në Ministri duhet që komunitetet të përfaqësohen në mënyrë adekuate dhe të drejtë", thekson "ZGJOHU!".

Kjo lëvizje vlerëson se në rast se vlerësohet shkelje me konkursin e MPB-së, atëherë do të reagohet pranë drejtësisë dhe gjykatave përkatëse, për shkak të cënimit të të drejtave kushtetuese të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera.

"Ftojmë ekspertët kushtetues si dhe Avokatik e Popullit që të na bashkangjitën në përpjekjet tona për të sfiduar mohimin institucional të të drejtave kolektive të shqiptarëve në Maqedoni dhe të na ndihmojnë në përpilimin e një rasti të qëndrueshëm për kandidatët e refuzuar para gjykatave përkatëse dhe asaj Kushtetuese si dhe komunitetit ndërkombëtar", bëri thirrje "ZGJOHU!".
 
Në konkursin e fundit të MPB-së për pranimin e 300 kandidatëve për polic, bëhet e ditur se deri tani shanset për tu pranuar i kanë vetëm së paku 10 kandidatë shqiptarë. (INA)



No comments:

Post a Comment