Thursday, August 23, 2012

DR: Ligji për “branitellat” destabilizon Maqedoninë

Demokracia e Re (DR) përmes një deklaratë me shkrim thekson se, gjendja e rënduar në Maqedoni nga kriza gjithnjë e më e thellë ekonomike dhe sociale si dhe nga tensionimi gjithnjë e më i madh i raporteve ndëretnike dhe ndërfetare si duket po përkeqësohet në skajshmëri nga ngjarjet e fundit që ndërlidhen me konfliktin e vitit 2001.

DR vlerëson se, "në ndërkohë që kryeministri dhe partia politike të cilën ai udhëheq nxisin acarimin e marrëdhënieve ndëretnike jo vetëm me përpjekjet për anatemim të ministrit të mbrojtjes për rastin e Slupçanit por me kërcënimin se do të propozojnë një ligj të veçantë për "branitelat" , partia shqiptare në qeveri duhet patjetër të këmbëngul për miratimin paralel të një ligji edhe për ish pjesëtarët e UÇK të cilët në fakt duhet të quhen çlirimtarë dhe fitimtarë të konfliktit 2001".

"Ligji për zgjidhjen definitive të statusit të dëshmorëve, invalidëve, dhe familjeve shqiptare të dëmtuara në konfliktin e vitit 2001 nuk është një nder që duhet tju bëhet këtyre personave  por është meritë e tyre ndërsa mbetet obligim për çdo qytetar shqiptar, subjekt politik dhe asociacon që të vihet në mbrojtje të këtyre të drejtave hyjnore. Ky ligj nuk kërkon ti bësh favore dikujt në dëm të tjerëve, prandaj në kohën kur VMRO kërkon miratimin e ligjit për "branitelat" BDI nuk duhet të lëshojë pe nga miratimi i  një ligji të ngjashëm për ish ushtarët e UÇK. Çdo qëndrim tjetër i këtij subjekti do të llogaritet vetëm si përfshirje në pazarllëqe të turpshme që lëndojnë  ndjenjat e çdo qytetari shqiptar",thuhet në deklaratës e DR-së.

Sipas këtij subjekti politik, VMRO në qeveri dhe  LSDM në opozitë duhet të vetëdijesohen, se të sjellësh një ligj në mbrojtje të vetëm njërës palë të involvuar në konfliktin e vitit 2001 nuk është e drejtë, ashtu siç nuk është e drejtë dhe zgjuarsi që në një shtet multietnik të përpiqesh të fitosh simpatinë e një pjese të elektoratit përmes politikave nacionaliste dhe sjelljeve shoviniste.

"Çfarë nuk është e drejtë nuk mund të jetë as  edhe e mirë dhe aq më pak nuk mund të sigurojë stabilitet në një shtet të brishtë siç është Maqedonia",thuhet në fund të deklaratës. (INA)



No comments:

Post a Comment