Friday, August 24, 2012

RDK: VMRO po mohon dhe përbuzë UÇK-në

Sipas RDK, tensionet e fundit në relacionin VMRO-BDI qe arrijnë kulminacionin me futjen në procedurë parlamentare të Ligjit për "Branitelat" e vitit 2001, janë artificiale dhe për motive të marketingut politik.

RDK përmes një deklarate me shkrim thotë se,  është e bindur se përkundër prononcimeve të zyrtarëve më të lartë të BDI dhe të VMRO, këta partnerë politikë nuk do të vendosin të shpërbëjnë shumicën aktuale qeveritare dhe nuk do të shpallin zgjedhje të parakohshme parlamentare.

"Arroganca politike e VMRO-së, mohimi dhe përbuzja e  UÇK-së dhe mospërfillja e dëshmorëve shqiptarë  të vitit 2001 nga kjo parti, përkundër tërheqjes politike të  BDI-së nëpërmjet kërkim fajles të ministrit të mbrojtjes verifikojnë edhe njëherë etnonacionalizimin e VMRO në raport me shqiptarët në Maqedoni", thuhet në deklaratën e RDK-së.

RDK mbron qëndrimin e saj konsistent  se  të dy partitë qeveritare  nuk kanë alternativë për zëvendësim të partnerëve aktualë në kuptim të ruajtjes së shumicës  qeveritare ose krijimit te partneriteteve të reja strategjike.

RDK është e bindur se qeveria aktuale VMRO-BDI është qeveri pa legjitimitet politik dhe ndëretnik dhe qeveri e cila evidenton dështime serioze  në veçanti  në agjendën e saj ekonomike–sociale dhe të integrimit euroatlantik.

RDK përsërit se  është e përgatitur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ripërsërit qëndrimin e saj se opsioni më i mirë për vendin është organizimi i zgjedhjeve të përbashkëta  parlamentare dhe lokale gjatë muajit mars të vitit 2013.

"Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare duhet të ketë një synim madhor dhe strategjik dhe ai synim është që nëpërmjet një qeverie teknike të koalicionit të gjerë, ngjashëm si në vitin 2001, të arrihet unitet nacional për arritjen e kompromisit për zgjedhjen e çështjes së emrit me Greqinë dhe krijimin e kushteve të barabarta për konkurrim për të gjithë subjektet politike. Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme nga qeveria aktuale në esencë do të thotë përsëritje e manipulimeve zgjedhore paraprake me listat zgjedhore dhe konkurrim të pabarabartë dhe në masë të konisderueshme  do të efektuonte ripërsëritje të rezultatit zgjedhor  paraprak", thuhet më tej në deklaratë.

Sipas këtij subjekti politik, çdo alternativë tjetër për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme  gjatë këtij viti do të ishte marrëzi e madhe në këtë  krizë të madhe, humbje edhe të një viti dhe çuarje e vendit në humnerë të sigurt, ngjashëm si me Greqinë. (INA)



No comments:

Post a Comment