Saturday, August 18, 2012

LDK, “mes dy zjarreve”

LDK, "mes dy zjarreve"

Paralajmërimi i drejtuesve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) se janë të gatshëm ta mbështesin qeverinë e Hashim Thaçit në bisedimet e ardhshme politike mund të jetë "thikë me dy teha" për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Pas këmbënguljes së shumë anëtarëve të Aleancës se nuk do t'i bashkohen "karvanit të bisedimeve" dhe asnjë koalicioni të mundshëm me PDK-në e Hashim Thaçit, së fundi nënkryetari i parë i kësaj partie, Blerim Shala i ka rënë "vulë". Ai ka thënë se të dy këto procese janë të mundshme, vetëm se për koalicion qeverisës duhet të pritet lirimi i Ramush Haradinajt dhe i njëjti të bëhet kryeministër.

Por, nëse partia e Isa Mustafës do ta shfrytëzojë siç duhet bashkimin e "partive të luftës", përkatësisht proceset ku pritet të përfshihen PDK-ja dhe AAK-ja, siç janë bisedimet me Serbinë, atëherë kjo do ta forcojë atë që në zgjedhjet e ardhshme pas koalicionit që pritet të ndodhë në shtator, t'i fitojë zgjedhjet.

Ndërkaq, nëse qëndrimi në opozitë do të jetë i heshtur, pa iniciativë konkrete dhe pa veprim opozitar, sikurse që ka qenë deri më tash, atëherë partia që dikur ishte më e madhja në vend do të radhitet te të fundit për nga fuqia.

Të paktën kështu thonë analistët kosovarë, të cilët theksojnë se nga përafrimi i AAK-së me PDK-në më së paku do të përfitojë vendi./Zeri/



No comments:

Post a Comment