Friday, August 31, 2012

Maqedonia nuk do ta pranojë raportin e KE-së pa mbiemrin "maqedonas"

Maqedonia nuk do ta pranojë raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit për këtë vit në rast se në të nuk qëndron mbiemri “maqedonas”, konfirmoi sot ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Poposki pas paralajmërimeve të presidentit Gjorge Ivanov.

“Kthimi i mbiemrit ‘maqedonas’ do të jetë punë logjike dhe do ta ruante kredibilitetin nga aspekti i atyre vlerave të cilat i promovon Bashkimi Evropian. A do të ndodh ajo apo nuk varet vetëm nga ata që e përgatisin raportin. Qëndrimin tonë e thamë dhe mendoj se parimisht në rast se ajo do të ndodh do të ishte diçka që do të shkonte në drejtim të duhur. A do të fokusohet Greqia në largimin e bllokadave dhe në veprimin në këtë drejtim që është në interes të të gjitha vendeve nga rajoni ynë apo do ta shpenzojë atë energji në fshirjen e mbiemrave dhe shtesave është jashtëzakonisht çështje e vendimit të tyre. Dëshirojmë të shohim se energjinë do ta fokusojnë në të parën, ndërsa jo në të dytën”, tha Poposki në brifingun e sotëm me gazetarët.

Ndërkohë punohet në atë që në sesionin e tretë nga Dialogu qasës në nivel të lartë më 17 shtator vendi të dërgojë sa më shumë rezultate.

“Vlerësimet tona janë se RM-ja nga marrja e rekomandimit për fillimin e negociatave me BE-në me çdo vit të ardhshëm është gjithnjë e më e përgatitur dhe ky është argumenti i ynë më i fuqishëm për heqjen e asaj politike të bllokadave, e cila na është imponuar”, tha Popovski, i cili pret raport objektiv në tetor.

Ai nuk e përjashton mundësinë që Maqedonia të kërkojë pranim në KB nën emrin kushtetues në Asamblenë e ardhshme të përgjithshme të Organizatës botërore.

Javën e ardhshme shefi i diplomacisë do ta shoqërojë persidentin Ivanov gjatë vizitës së tij në Bruksel, ku janë planifikuar takime me kryetarin e Këshillit Evropian Herman van Rompuj, me kryetarin e parlamentit Evropian Martin Shulc, me sekretarin e përgjithshëm të Aleancës Veriatlantike Anders Fog Rasmusen dhe me Shtefan Fylen, eurokomisar për zgjerim të Unionit. (INA)



No comments:

Post a Comment