Sunday, August 12, 2012

Të përjashtuarit

Që ka diçka të paparashikueshme dhe nëse doni edhe naive në shoqërinë shqiptare nuk diskutohet. Sidomos kur "të tjerët flasin, shkruajnë, gjykojnë a vlerësojnë për "neve". Qoftë për mirë ama sidomos për keq. Një sindrom tipik për shoqëritë e tkurrura. Të pazhvilluara. Dhe për fat të keq edhe provincialiste.

Në këtë frymë, pikërisht në këtë frymë duhet parë edhe vetshtrydhjen e vetshtypjen që shqiptarët, nga mediet përmes rrjeteve sociale e deri te mejhanet tona, i bënin vetes për një lajm që një gazetë jo edhe aq dashamirëse e Shkupit kishte botuar.

"Shqiptarët ishin të tretët për nga spiunët" në ish- Jugosllavi. Dhe fap: të gjithë e kapën dhe filluan ta përtypin atë "karotë". Sepse u tha. Dhe me këtë edhe u bë! Pa e verifikuar dhe vlerësuar fare lajmin në fjalë. Pa ditur prej nga "Dnevnik"-u e kishte atë lajm. Prej Beogradit (ku janë dosjet e së kaluarës) apo Shkupit? Apo të dyjave ngapak.

Ndoshta më së miri këtij lajmi do t'i shkonin disa komente të lexuesve mëse inteligjentë që thoshin se ka logjikë në këtë lajm pasi që shqiptarët edhe pse "kombësi" (dmth. pakicë kombëtare), pas serbëve e kroatëve ishin populli dhe me këtë edhe kombi i tretë në ish-Jugosllavi- prandaj edhe kishin spiunë menjëherë pas dy kombeve tjera më të mëdha- serbëve e kroatëve.

Ironinë anash por është e dhembshme kur biem pre e manipulimeve të të tjerëve edhe për këtë temë e cila si shumëçka tjetër në atë sistem të mallkuar dhe shëmtuar na privon nga një e drejtë elementare, nëpër të cilën kanë kaluar pothuajse të gjithë popujt tjerë që kaluan nëpër kthetrat e komunizmit: të kaluarën e dosjeve dhe bashkëpunëtorëve të regjimit të komunizmit.

Ky përjashtim ka pasojat dhe çmimin e tmerrshëm që shumëçka ka mbetur dhe do të vazhdojë të mbesë aq e errrët dhe aq e pasqaruar saqë gjithmonë do të mbetet "vend" për spekulime e manipulime, mashtrime e inskenime… që s'ua gjen shoqet askund në Europë.

E kur jemi te kontinenti ynë, duhet thënë që janë me miliona dosje e histori tragjike por edhe madhështore që duke iu falënderuar ballafaqimit në fjalë, kanë bërë që kombe si gjermanët e hungarezët, çekët e polakët- atë të kaluar ta shohin drejt e në sy. Dhe nga ajo të nxjerrin qoftë mësime (historike) ashtu edhe krijime (artistike) që janë leksione madhështore për të kaluarën (e cila nuk ka vdekur, bile… as që ka kaluar. W. Faulkner).

Ta kujtojmë këtu vetëm veprën filmike madhështore gjermane "Das Leben der anderen" (Jeta e të tjerëve). Me një happy end.

Kurse për tragjedi, sepse është tragjike kur në sheh dalin këso gjërash, le ta kujtojmë këtu një libër. Fjalët e para me të cilat lexuesi ndeshet kur e hap kopërtinën e atij libri, janë: “E dija menjëherë se për çka është fjala. Nuk mund ta besoja çfarë shihja. Shumë shpejt e vendosa dorën mbi tryezë, sepse kishte filluar të më dridhej… Kur e hapa dosjen, menjëherë e vërejta dorëshkrimin të cilin e njihja: ishte i babait tim.”

Qysh nga mesi i viteve 90 deri në këtë fillimshekull, thonë diku rreth gjashtë apo shtatë vjet, Péter Esterházy kishte punuar në romanin “Harmonia Caelestis”. Në Hungari libri pati dalë në fillim të vitit 2000, më pas në Gjermani e Francë, Amerikë e Spanjë dhe shumë gjuhë të tjera. “Harmonia Caelestis” është një roman me 800 faqe.

Kritika europiane, e pati quajtur romanin një opus magnum jo vetëm të letërsisë së Esterházyt, por të krejt letërsisë botërore. Kritikët, duke u marrë me librin në fjalë shkruanin për atë sesi “mrekullitë qenkan ende të mendshme”, sesi të gjithë ata që kanë shkruar apo thënë që nuk do të jetë e mundshme që të bëhen më libra madhështorë të cilët do të përballojnë të gjitha kohët, kanë gabuar sepse “Harmonia Caelestis” është një libër madhështor.

Romani në fjalë është përndryshe një kronikë familjare për një nga pemët gjenetike më të vjetra aristokrate europiane dhe hungareze: familjen Esterházy, prej nga edhe vetë autori është. E tëra e fillon dhe përdundon me Péterin e vogël i cili në fillimvitet e 50 qysh si fëmijë kishte mundur të shihte jo aq shthurjen e familjes së tij, sa vuajtjet që komunistët i bënin babait të tij dhe krejt kësaj familjeje e cila duhet të ketë qenë një etiketë e qytetarizmit tjetër në Hungari.

Menjëherë pas përfundimit të luftës, komunistët u kishin marrë krejt tokat dhe kështjellat familjes Esterházy. Dhe kjo duket që jo vetëm këta i kishte goditur por edhe i kishte tmerruar. Jo nga fakti që familja më e pasur në Hungari kishte mbetur pa tokat e saj, sa nga frika që komunistët ishin në gjendje edhe të vrisnin dhe persekutonin anëtarë të familjes së njohur hungareze. Për të gjitha këto rrëfehet tek “Harmonia Caelestis”.

Dhe qysh në “Harmonia Caelestis” sqarohet sesi babai herë vinte në shtëpi e herë zhdukej. Pastaj kishte çaste kur policia vinte dhe kontrollonte krejt shtëpinë. Babai mirrej në stacion dhe më pas sërish kthehej. Krejt këto vajtje-ardhje kishin zgjatur disa muaj. Më pas familjes i kishte rënë sy (Peter në atë kohë ishte shtatë vjeçar) që policia më nuk vinte. As babai nuk u ishte nënshtruar më kurrfarë represaljeve psikologjike a fizike.

E sqarimin pse policia sekrete më nuk ishte paraqitur para shtëpisë së tyre, Péter Esterházy e zbuloi pas më shumë sesa dyzet vitesh. Që tragjedia të jetë perfekte, autori i madh hungarez, romanin “Harmonia Caelestis” e kishte përfunduar pa ditur asgjë për të kaluarën prej spiuni të babait të tij. Dhe vetëm pasi romani ishte botuar dhe kishte nisur jetën e vet madhështore e festive, në “Entin për Histori” në Budapest, Peter kishte mundur që të gjente “dosjen” e prindit të tij (tashmë të ndjerë).

Më e rëndësishmja në këtë mes ishte që derisa djali kishte marrë dosjen për të kaluarën e babait, në shtypshkronjë ishte dorëzuar manuskripti i romanit të madh në të cilin po djali, babait të tij i kishte thurur një nga odat, një nga rrëfimet më të bukura që letërsia e re botërore kishte bërë për marrëdhënien fëmij-prind.

Por ja që pas zbulimit, po fëmiu, tash shkrimtar, nuk kishte ngurruar që të bënte atë që e kishte parë të nevojshme: shkruajti edhe një libër me 100 faqe duke e korrigjuar romanin e tij madhështor! Kësaj i thonë e kaluar. Sa e tmerrshme aq edhe madhështore!… Dhe ne, të përjashtuarit mundemi vetëm të hamendemi se çfarë (s')do të dilte poese me të kaluarën tonë të merremi vetë.



No comments:

Post a Comment