Saturday, August 18, 2012

Osmani përuroi dy rrugë me rastin e Fitër Bajramit

Qindra qytetarë morën pjesë në hapjen solemne të rrugëve të ndërtuara dhe rikonstruktuara kohëve të fundit në qytetin e Gostivarit, projekte kapitale këto të realizuara me mjete nga buxheti komunal.

Përurimin e rrugëve të përfunduara para muajit të Ramazanit, me një kosto prej rreth 210 mijë euro, e bëri kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani i cili i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij dhe banorët lokalë, me prerjen simbolike të shiritit solemnisht i lëshoi ato në përdorim.

"Janë këto dy investime serioze kapitale që janë realizuar para do kohe, por u mblodhëm sot që të bëjmë përurimin e tyre në vigjilje të Fitër Bajramit", theksoi Osmani.

Bëhet fjalë për një kompleks rrugësh në pjesën rreth Vardarit dhe përskaj tregut të madh të qytetit, si dhe për një kompleks rrugësh në Zonën VII të qytetit. Kryetari Osmani u premtoi qytetarëve të pranishëm se në lagjet e tyre së shpejti do të vazhdojnë investimet, respektivisht do të ndërtohet vazhdimi i shëtitores te Lumi Vardar dhe do të hapen dhe ndërtohen rrugë të reja në Zonën VII.

"Me shumë sukses jemi duke realizuar programin investiv të Komunës për vitin 2012 dhe jam optimist se do të realizohen mbi 90% të projeksioneve buxhetore investive për këtë vit" nënvizoi kryetari i komunës ë Gostivarit.

Banorët e shumtë lokalë të cilët morën pjesë në solemnitet e rastit, u shprehën mirënjohës për angazhimet e kryetarit Rufi Osmani në drejtim të krijimit të kushteve më të mira për jetesë të qytetarëve. Në solemnitetet ne fjalë morën pjesë edhe kryetari i këshillit Fadil Zendeli dhe sekretari i komunës Naxhi Xhelili. (INA)

 



No comments:

Post a Comment