Thursday, August 23, 2012

Xhaferri: Strategji e re për zbatimin e MO-së

Zëvendës kryetari i Qeverisë së Maqedonisë Musa Xhaferri sot ka pritur ambasadoren e Mbretërisë së Holandës Mariet Shurman.

Gjendja aktuale në vend, proceset integruese-anëtarësimi në NATO dhe BE, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit ishin temat për të cilat bashkëbiseduan zëvendëskryeministri Xhaferri dhe Ambasadorja znj.Shurman.

Zëvendëskryeministri Xhaferri e njohu ambasadoren e Mbretërisë së Holandës me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, në veçanti me Raportin e përgatitur nga Sekretariati dhe miratuar nga Qeveria e RM-së që ka të bëjë me implementimin e këtij dokumenti gjatë 10 viteve të kaluar.

"Raporti është obligim që buron nga dialogu i nivelit të lart që Maqedonia zhvillon me Bashkimin Evropian dhe  i njëjti është dorëzuar në Bruksel", theksoi Xhaferri, duke shtuar se ky raport do të jetë bazë e Strategjisë së re për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në dekadën e dytë nga ku do të nxirren detyrat operative.

Ai gjithashtu theksoi se pajtimi ndëretnik dhe marrëdhëniet e mira ndëretnike mbeten bazë e Marrëveshjes kornizë të Ohrit. Ai përsëriti qëndrimin e Qeverisë se anëtarësimi i vendit në strukturat euro-atlantike, NATO dhe BE mbetet prioritet dhe se në këtë drejtim rol të rëndësishëm luan edhe Marrëveshja e Ohrit.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës Mariet Shurman potencoi se vendi i saj mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në BE duke veçuar rëndësinë e dialogut  të lartë që zhvillohet me Bashkimin Evropian. Ajo përkujtoi se nevojitet zbatimi i obligimeve që burojnë në procesin e integrimit dhe të arrihen  rezultate konkrete në sferën e sundimit të së drejtës, marrëdhënieve ndëretnike, lirisë së mediave si dhe në sfera tjera.

Duke folur për situatën aktuale politike, bashkëbiseduesit konstatuan se partnerët e koalicionit qeveritar duhet të dëshmojnë guxim politik dhe lidership për të tejkaluar krizën politike që Republika e Maqedonisë të mbetet në kursin e duhur drejt integrimit evropian.  Në këtë takim u vlerësua lart bashkëpunimi në mes Ambasadës së Holandës dhe Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, bashkëpunim ky që karakterizohet me bashkëpunimin e mirë që kanë dy vendet. (INA)



No comments:

Post a Comment