Sunday, August 5, 2012

Mustafa: Kurrfarë bisedimesh për kufijtë

Mustafa: Kurrfarë bisedimesh për kufijtë

Nuk u besoj fjalëve të kryeministrit. Unë besojë në një marrëveshje politike, që e kemi bërë dhe insistoj që ajo marrëveshje të realizohet. Kështu ka pohuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, sipas të cilit kjo parti qëndron prapa asaj që zgjedhjet parlamentare të mbahen ashtu siç janë paraparë me marrëveshjen politike dhe që reforma zgjedhore dhe kushtetuese të vazhdojë, të mos bllokohet, por të vazhdojë me kusht, që të realizohen të gjitha pikat, një nga një, që janë paraparë në marrëveshjen politike të nënshkruar vitin e kaluar.

Mustafa, sërish, ka insistuar në respektim të marrëveshjes politike Thaçi, Mustafa, Pacolli, e cila çoi në zgjedhjen e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, por jo me mandat të plotë, siç e interpreton tani Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

"Kryeministri punën me të lehtë që e bënë, është me dhanë deklarata. Mirëpo e ka edhe cilësinë që edhe të pendohet kur jep deklarata. I ndërron shpesh fjalët, ashtu siç i ka ndërruar për marrëveshje. I ka shkel fjalët e veta dhe fjalët e shkruara. Kështu që unë fare nuk i besoj fjalëve të kryeministrit. Unë besojë në një marrëveshje politike, që e kemi bërë dhe insistoj që ajo marrëveshje të realizohet. Sepse natyrisht që kryeministri ka dëshirë që jo të vazhdojë deri në 2014, po të vazhdoj edhe më tutje, por do të jenë qytetarët ata që do të vendosin, se kush cilin mandat do ta merr", ka thënë ai.

Ndërsa sa i përket votimit të ndryshimeve kushtetuese edhe të Ligjit  për zgjedhjet, Mustafa ka pohuar se asgjë nuk do të votojnë nëse nuk është në harmoni me synimet e tyre themelore, të cilat janë paraparë me marrëveshje.

Ndërsa i pyetur për një Plan Ahtisari Plus, Mustafa ka thënë se s'ka asnjë plan Ahtisari Plus dhe se LDK nuk përkrah biseda politike për veriun ashtu siç nuk përkrah që edhe njëherë t'i kthehen bisedave politike për statusin dhe integritetin territorial të Kosovës. Mustafa, po ashtu, ka thënë se nuk do të bashkohen me partitë tjera, për një dialog të ri që pritet të fillojë së shpejti.

"Assesi. LDK do të qëndrojë prapa politikave të veta. Ne do të japim kontributin tonë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Por jo në asnjë grup të unitetit, apo grup tjetër si grupe hibride që propozohen që të jenë. Nuk pranojmë assesi të jemi pjesë e këtyre grupeve. Po ashtu nuk do të përkrahim asnjë bisedë politike lidhur me kufijtë e Kosovës, apo pjesët dhe integritetin territorial të Kosovës. Ne konsiderojmë që këto biseda janë përfunduar në Vjenë", ka thënë lideri i partisë më të madhe opozitare, Isa Mustafa.



No comments:

Post a Comment