Thursday, August 16, 2012

400 mijë dollarë për rikonstruimin e sh.f "Liria" në Çair

Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, Ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini dhe drejtorja e zyrës së Bankës Botërore në Maqedoni, Lilia Burunçuk sot hapën fillimin e rekonstruimit të shkollës fillore “Liria” në komunën e Çairit të Shkupit. 

Në këtë shkollë po realizohet projekti për masat e reja të efikasitetit energjetik, që kanë të bëjnë me kursimin e energjisë elektrike. Në kuadër të këtij projekti, do të përfshihet rikonstruimi i fasadës së ndërtesës, ndërrimi i dritareve dhe dyerve, instalimet e reja të sistemit të ngrohjes dhe ndërrimi i ndriçuesve. Rikonstruimi është paraparë të ndodhë brenda 50 ditëve.

“Investimi është me një vlerë prej 20 milion denarëve apo rreth 400 mijë dollarë, mjete të siguruara nga Ministria e Ekonomisë, përmes një granti të Bankës Botërore, ndërsa gjysma e mjeteve është siguruar nga ana e komunës së Çairit. Përparësitë e këtij investimi janë se në të ardhmen kjo shkojë do të kursejë rreth 50 mijë dollarë në vit, mjete mund të dedikohen për qëllime tjera në të ardhmen”, deklaroi ministri Saraçini. 

Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti deklaroi se me këtë projekt i jepet fund procesit të renovimit të të gjitha shkollave të ciklit të ulët në Çair, duke përfshirë edhe ndërtimin nga themeli të shkollave fillore “7 Marsi” dhe “Kongresi i Mansatirit”.

"Më 1 shtator nxënësit, arsimtarët dhe prindërit do ta gjejnë shkollën fillore 'Liria' tërësisht të renovuar, do të jetë për të gjithë një gëzim i madh, ndoshta i njëjtë si në ditën kur u ndërtua kjo shkollë. Ne para dy viteve kishin një investim por më të vogël se ky, që përfshinte ngrohjen qendrore dhje fasadën e jashtme, ndërsa me projektin aktual ku participojmë me 50 për qind të vlerës, bëhet renovimi i tërësishëm i saj", theksoi kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti. Shefja e BB-së në Shkup, Burunçuk deklaroi se projektet e tilla do të realizohen edhe nëpër shkollat e tjera në Maqedoni. (INA)



No comments:

Post a Comment