Monday, August 20, 2012

Arrestohet me drogë i biri i ish-kreut të Oborrit Mbretëror

Djali i njërës prej figurave më të njohura të kohës së Mbretit Zog, është arrestuar ditën e djeshme në Greqi, me një sasi prej 62 kg lëndë narkotike, heroinë. Izet Ohri, djali i Ali Ohrit, Kryetarit të Oborrit Mbretëror, është vënë në pranga nga policia greke, pas kontrollit të ushtruar në makinën e tij, e cila vinte nga Turqia dhe kishte si destinacion portin e Igumenicës e më pas Italinë. Policia greke bën të ditur lajmin, duke pohuar se droga u kap në orët e para të mëngjesit, rreth 2 kilometra në brendësi të territorit grek. 

Arrestimi 

52-vjeçari Izet Ohri, i cili prej vitesh jetonte në Itali, i divorcuar, me fëmijë, është arrestuar dhe dy herë të tjera, po për të njëjtën vepër penale, në Gjermani dhe Itali. Ohri është prangosur në orët e para të ditës së djeshme, përgjatë autostradës që të çon në qytetin e Igumenicës. Sipas njoftimit të shpërndarë nga Policia Greke, mësohet se Ohri ka hyrë në Greqi nga pika kufitare e Kiponit dhe pas informacioneve të mbërritura se ai transportonte sasi droge, oficerët e policisë kanë nisur menjëherë punën. Dy kilometra pasi kishte hyrë në tokën greke, forcat e policisë e kanë ndaluar dhe me ndihmën e një qeni, kanë arritur të zbulojnë se brenda 3 bombulash gazi, ishin fshehur 122 pako, me peshë totale prej 61 kg e 935.4 gram lëndë narkotike të dyshuar heroinë. Përveç sasisë së drogës, policia greke sekuestroi dhe makinën tip “Fiat” me targa italiane, 2200 euro dhe dy telefona celularë. 

Fillimisht, mediat e shtetit fqinj publikuan lajmin se sasia në fjalë e drogës, ishte futur në Greqi nga Shqipëria. Pas verifikimeve të kryera, Policia e Shtetit Shqiptar, me anë të një deklarate për shtyp, e mohoi këtë fakt. “Nga shkëmbimi i informacionit me autoritetet policore greke rezulton se rreth 2 km në brendësi të territorit grek në kufirin me Turqinë, autoritetet policore greke, kanë sekuestruar një sasi prej rreth 61 kg e 935 gram lëndë narkotike e dyshuar, heroinë, në një mjet “Fiat”, i cili kishte ardhur nga Turqia. 

Hetimet 

Oficerët e policisë së shtetit fqinj, menjëherë pas arrestimit të 52-vjeçarit Ohri kanë nisur hetimet për të zbuluar prejardhjen dhe destinacionin përfundimtar të sasisë së madhe të heroinës. Nga hetimet e para rezulton se sasia e drogës kishte hyrë në Greqi nga Turqia dhe Izet Ohri, pasi të mbërrinte në Igumenicë, do të nisej në drejtim të Italisë, ku dhe mendohet se ishte destinacioni përfundimtar i 62 kg të “Heroinës”. Ndërkaq, hetimet janë duke vijuar dhe në identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë linjë trafiku mes Turqisë, Greqisë e Italisë. (GSH/INA)



No comments:

Post a Comment