Sunday, August 5, 2012

“Perpetuum Jazzile” në 52 vjetorin e festivalit Vera e Ohrit

Në shënimin e 52 vjetorit të themelimit të festivalit muzikoro-skenik, "Vera e Ohrit", në Teatrin antik në Ohër, para mbi 4 mijë spektatorëve, ansambli më atraktiv vokal në hapësirat dhe skenat muzikore në botë, "Perpetuum Jazzile" nga Sllovenia, dha një koncert të paharruar për të pranishmit në Teatrin antik.
Me këtë koncert, atraksioni slloven që pushtoi tërë botën, e shënoi këtë përvjetor të 52-të, të skenës muzikore të këtij festivali.

Ansambli me 50 anëtar vokalist dinamik, të pasur dhe me një harmoni të paparë, me ritëm të jashtëzakonshëm që jo rrallë shoqërohet edhe me figura humori e sharmi e plotësuan dhe e  fisnikëruan këtë koncert  me një repertor jazi dhe muzikë të popullarizuar.

Katër gushti, është datë kur para 52 viteve, diva operistike e atyre viteve, Ana Lipsha-Tofoviq, në ambientet e kishës mesjetare "Shën Sofia" në Ohër, ia dha "flakën" këtij festivali. Në nderim të kësaj date dhe dite, festivali "Vera e Ohrit", ngjashëm edhe me vitet tjera, këtë vit për ta nderuar këtë datë, kishte ftuar pikërisht ansamblin "Perpetuum Jazzile".
Nga 50 anëtarët sa numëron ky ansambël atraktiv dhe shumë i kërkuar nëpër skenat muzikore në botë, 45 prej tyre sonte ishin në platonë e skenës së Teatrit antik, që pas çdo kënge të tyre, duartrokiteshin nga disa mijëra spektator, që kishin pasë fat për të  rezervuar rezervuar një biletë hyrëse.
Ky ansambël, ashtu siç është edhe i njohur, kishte një repertor të larmishëm për nga zhanri interpretativ. Pos tjerave, kishte edhe surpriza për spektatorin në shkallët e Teatrit antik e një ndër to ishte edhe kënga uruese për ditëlindjen e festivalit e kënduar "live" për stafin menaxhues dhe publikun në Ohër.
Vlen të theksohet se të gjitha koncertet e parapara për tu mbajtur në Teatrin antik vazhdimisht kanë qenë të vizituar mjaft, por koncerti i kësaj mbrëmjeje do të mbetet gjatë kohë në kujtesën e spektatorëve dhe vetë ansamblit. (M.Latifi/INA)



No comments:

Post a Comment