Saturday, August 4, 2012

Talentët kumanovarë së shpejti nën vëzhgimin e klubeve gjigande angleze

Talentët kumanovarë të futbollit janë ftuar për prova dhe stërvitje nga Akademia e mirënjohur e futbollit Bailey Elite Football Academy në Londër. 

Gentijan Pajaziti, Gent Bislimi, Shefik Rrahmani, Drilon Saiti, Artin Shabani dhe Fitor Rexhepi janë gjashtë talentët kumanovarë të gjeneratës 1999,  të stërvitur nga trajneri Xhelal Ademi në kuadër të shkollës së futbollit „KF Milano" që janë të ftuarit special nga Akademia prestigjioze angleze e futbollit.  

Trajnerët dhe menaxherët e Bailey Elite Football Academy identifikuan talenët kumanovarë gjatë një kampi të organizuar muajin e kaluar në Gjilan. Ata u zgjodhën ndër 20 futbollistët më të dalluar, në mesin e mbi 1 mijë konkurrentëve nga shkolla të ndryshme nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe diaspora. 

Gjashtë talentët kumanovarë të futbollit janë ftuar në Londër gjatë muajve gusht – shtator  dhe se ata  do të jenë pjesë e një stërvitje dhe prezantimi special nga kjo akademi. Ata me këtë rast do të jenë nën vëzhgimin dhe ndjekjen nga afër të menaxherëve dhe skautëve të ekipeve më të njohura të premierës ligës angleze si Arsenal, Chelsea, Tottenham, Liverpool, M.United, etj. 

 

Trajneri që përmbushi misionin 

Gjatë qëndrimit dyjavor pranë kësaj akademie të futbollit në Londër, talentët kumanovar janë optimistë se do të arrijnë të bindin ekipet e mëdha angleze për cilësitë dhe talentin e tyre. 

Trajneri Xhelal Ademi thekson se kjo është një arritje e madhe për futbollin kumanovar, sidomos për talenët e reja, që kanë arritur që të shpërthejnë me talentin e tyre, duke mahnitur dhe nxitur interesin e klubeve dhe akademive të mirënjohura siç është Bailey Elite Football Academy. 

Trajneri Ademi me punën dhe filozofinë e tij sportive në futboll ka arritur që të nxjerrë në sipërfaqe një gjeneratë të re talentësh të futbollit kumanovar, duke përfshirë gjashtëshen që do të udhëtojë drejt Londrës. 

 

Apeli për mbështetje dhe sponsorisim 

Por, një pjesë e grupit të talentëve nuk kanë kushtet e nevojshme financiare për të udhëtuar në Londër. Prindërit e tyre apelojnë për mbështetje dhe ndihmë, me qëllim që të mos humbet ky shans që talentët shqiptarë të futbollit të sfidojnë me hapa të sigurtë ligat e mirënjohura të futbollit elitar. 

„Në bazë të disa kushteve që kërkohen, disa prej nesh nuk jemi në gjendje për të siguruar udhëtimin dhe sigurimin e qëndrimit gjatë stërvitjeve. Apelojmë që dikush të na ndihmojë dhe të jetë një sponsor i denjë, sepse ja vlen për të ndihmuar dhe kjo ndihmë e tij e shenjtë do ti kthehet në të ardhmen", theksoi një nga prindërit, duke kërkuar sponsor nga dashamirë të futbollit, humanistë nga diaspora dhe mundësi tjera.  (M.M/INA)



No comments:

Post a Comment